Arbëri

VV-ja çon në Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetit Arifi

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetueshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi, i cili sipas kësaj partie, e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, Vetëvendosje thotë se ka prova që dëshmojnë se Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit.

“disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, pjesëmarrja e deputetit Arifi në seancën ku u votua Qeveria Hoti, e thellon paligjshmërinë e kësaj Qeverie, duke shtuar se e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë/

“Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg. Qeveria Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të z. Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje thotë se “përveç Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e zgjedhjeve, por është imponim nga Presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale”.

Deputeti Etem Arifi, është dënuar për veprën penale mashtrim me subvencione dhe Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhëresë për paraqitje në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta vuajtur dënimin për veprën penale mashtrim me subvencione.

Deputeti Etem Arifi, edhe pse i dënuar për korrupsion, për disa muaj e ka shfrytëzuar të drejtën e votës në Kuvendin e Kosovës. Dënimi me një vit e tre muaj burgim ndaj deputetit të Partisë së Ashkalinjve është bërë i plotfuqishëm në janar të këtij viti.