1 perditesime
12:17

Zemaj: Qytetarët që hyjnë në Kosovë s’do të vetizolohen, kontrolle të detajuara mjekësore

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, porse për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore.

“Ministria bashkë me IKSHPK nga aktiviteti ditor ka konstatuar situatë të qëndrueshme por me rritje të lehtë të rasteve në disa komuna. Duhet të jemi të qartë që virusi është akoma aktiv edhe pse me një rënie në intensitet”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se pas analizës së bërë IKSHPK-ja ka rekomanduar ndryshim të masave shtesë.

“Kontrollin e detajuar mjekësor të të gjithë qytetarëve që hyjnë në Kosovë. Që nga dita e hënë propozoj që qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetëizolimit dhe në vend të testimit për ata që hyjnë do të jetë kontrolli i detajuar. Më lejoni të ju njoftoj që nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 05:00 deri në ora 21:00. Kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet”, ka thënë Zemaj.

Megjithatë, Zemaj ka thënë se masat duhet respektuar pasi mund të ketë rritje të rasteve.

“Situata nuk është se duhet të lejohemi së tepërmi dhe anashkalimi i mundësisë së rritjes së rasteve. Nëse më përcjellët me vëmendje unë e përmenda që kërkesa jonë me qytetarët është që t’i respektojnë masat aktuale dhe të shkojmë drejt lehtësirave tjera. Fakti që i përmenda edhe AVUK-un dhe inspektorët dhe pjesa tjetër që të rritet numri i profesionistëve shëndetësor neve do të na ndihmojë”, ka thënë Zemaj.

MSH-ja thotë se numri i inspektorëve duhet të rritet dhe se çdo shkelje e rregullave do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

Kurse për këtë propozim vendim Hoti ka shtuar, “propozoj që pika 3 të jetë që deri më 12 qershor 2020 MSH të miratojë manualin për mbrojtje nga virusi Covid-19. Udhëzime dhe detaje se si duhet të sillemi në institucione dhe çdo vend. Edhe pika e 4 të jetë që MSH të autorizohet që të nisë procedurat për 200 persona që do e mbikëqyrin këtë manual”.

Zemaj është zotuar se në një afat optimal do të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Vetëm këto ditë të punës së vitit fatkeqësisht pa pranuar ndonjë pjesë të punës së detajuar kam parë që një numër i konsiderueshëm i vullnetarëve ka qenë shumë i angazhuar dhe me vendimin e ri kur kemi një numër të madh të pikave hyrëse”, ka thënë Zemaj.

Kurse Skender Reçica ka kritikuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë e diçka që nuk guxon të përsëritet. Më e pakta që ne mund të bëjmë është të mbështesim këtë vendim”, ka thënë Reçica.

E Besnik Tahiri ka kërkuar që të ketë lehtësira për sektorin e gastronomisë.

“Me pas një raport se si kishim mundur të veprojmë tutje edhe për kërkesat që i kemi nga sektori i gastronomisë për ngjarjet më të mëdha në këtë fushë. Është mirë që në mbledhjen e ardhshme me pas një raport dhe nëse ka mundësi një vendim për lehtësim të plotë”, ka deklaruar Tahiri.

Kurse Arban Abrashi ka kërkuar që të bëhet hapja e fluturimeve ajrore.

“Me lejen e juaj unë i kisha filluar konsultimet të shikojmë mundësinë e hapjes së transportit ajror. Kërkoj të fillojmë këto negociata në mënyrë që të shohim edhe praktikat e vendeve të tjera”, ka thënë Abrashi.

12:10

Hoti falënderon SHBA-në për zhbllokimin e fondeve të MCC-së

Kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka falënderuar SHBA-në për zhbllokimin e fondeve të MCC.

Hoti thotë se shtylla e parë e programit është marrëveshja në vlerë prej 49 milionë eurosh, transmeton KOHA.

“Shpreh falënderimet për SHBA për zhbllokimin e fondeve të MCC. Shtylla e parë e këtij programi është marrëveshja në vlerë 49 milionë dollarë. Pjesa e dytë është marrëveshja kompakt që quhet që është duke e negociuar dhe do të ketë një vlerë disafish më të madhe sesa pjesa e parë”, ka thënë Hoti.