Arbëri

SHBA-ja pret rinisjen e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi

Foto: Alban Bujari / KOHA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova e Serbia t’i kthehen tavolinës së bisedimeve, pasi Qeveria Hoti hoqi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se pret që dialogu të rifillojë sa më shpejtë që të jetë e mundur, me përfundim njohjen e plotë.

“Mirëpresim vendimin e qeverisë në heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që të rinisë dialogu sa më shpejtë që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe rajonit për të siguruar stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane dhënë për REL.

Të shtunën, Qeveria Hoti hoqi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Kjo u mirëprit nga SHBA-ja që zhbllokoi fondet e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Kosovën.