Arbëri

Lehtësohen masat ndaj koronavirusit, kush hyn në Kosovë nuk i nënshtrohet vetizolimit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se prej ditës së hënë, me datë 8 qershor, do të hiqet masa e vetizolimit për ata që hyjnë nga jashtë si dhe masa e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve prej orës 21:00 deri në mëngjes.

Sipas Zemajt, MSH-ja bashkë me Institutin e Shëndetit Publik, ka vizituar edhe Vushtrrinë ku së fundmi pati shtim rastesh të të infektuarve, por siç tha ai, nga aktivitetet ditore, gjendja atje është stabile.

“Pati ngritje të lehtë të numrit të të infektuarve si rezultat i mospërfilljes së urdhrave”, tha ai.

Zemaj tha se virusi është akoma aktiv, porse kërkon nga qytetarët kujdes dhe angazhim në zbatimin e rekomandimeve nga MSH dhe IKSHPK.

Pas analizës së bërë në terren, me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon si mëposhtë:

1. Kontrollin e detajuar për udhëtarët që hyjnë në Kosovë duke marrë shënime të sakta, adresën, numrin e telefonit, etj,

2. Kontroll i detajuar dhe marrje e temperaturës për të dyshuarit me COVID-19

3.Bazuar në rekomandime, prej ditës së hënë, qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor, por ata që hyjnë do të kontrollohen nga mjekët

4. Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve

5. Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në mëngjes

Zemaj tha se MSH-ja bashkë me IKSHPK-në do të vazhdojë të përcjellë situatën epidemiologjike, por kërkon të mbahet distanca nga qytetarët dhe të respektohen masat.

“Kërkojmë në mënyrë rigoroze të respektohen masat ndaj koronavirusit, të mbahen maskat, dhe distanca. Kërkojmë nga qytetarët, bizneset, gastronomia, të përmbahen strikt në rregullat tona. Shkeljet e rregullave konsiderohen rrezikim i shëndetit”, tha Zemaj.

Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, kanë thënë se institucionet janë të furnizuara mirë me teste.