Arbëri

Rasti ndaj ministrit Vesel Krasniqi rrezikon parashkrimin

Hetimi për veprën penale ‘mashtrim’ kundër ministrit të Industrisë dhe Tregtisë rrezikon parashkrimin.

Më 7 maj të 2018-s, Prokuroria e Shtetit ka nxjerrë aktvendim për hetimin e ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi.

Infrastruktura ligjore në Kosovë e përcakton qartë se sa kohë ka Prokuroria të kryejë hetime kundër një të dyshuari. Pas nxjerrjes së aktvendimit, prokurori duhet që brenda 2 vjetësh ta përfundojë hetimin, raporton KOHA.

“Kur fillohet hetimi, hetimi përfundon brenda dy (2) vjetëve. Nëse brenda dy (2) vjetëve nga fillimi i hetimit paraprak nuk është ngritur aktakuzë, ose nuk është pezulluar hetimi sipas nenit 157 të këtij Kodi, hetimi menjëherë pushohet”, shkruhet në paragrafin e parë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale.

Ky afat ka përfunduar.

Prokurori i rastit ka dy rrugë për të parandaluar vjetërsimin e hetimit. Një nga to është pezullimi i hetimit. Por, siç ka mësuar KOHA hetuesit në këtë rast kanë ndërmarrë veprime hetimore deri disa javë para pandemisë.

Prokurori bazuar në ligj ka të drejtë që të kërkojë vazhdimin e hetimit, por jo më shumë se 6 muaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë një vazhdim deri në gjashtë (6) muaj të hetimit nga paragrafi 1. të këtij neni, në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë, por pa u kufizuar kur ka katër apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare, apo ekzistojnë rrethana të tjera të jashtëzakonshme”, sipas Kodit të Procedurës Penale.

Mbrojtja dhe Gjykata Themelore në Prishtinë i kanë thënë KOHËS se nuk janë në dijeni për veprimet e prokurorit në këtë rast, nëse e ka pezulluar hetimin apo lënda është parashkruar.

Prokuroria nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit.

Siç ka raportuar KOHA, Prokuroria e Shtetit ende nuk e ka intervistuar ministrin Krasniqi, për shkak se, siç i kanë thënë mbrojtjes, nuk e kanë pasur adresën e tij për t’i dërguar ftesë.

Është e diskutueshme sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nëse vonesat në hetimin e personave të tillë bëhen nga neglizhenca apo me qëllim.

KOHA ka raportuar të mërkurën se dy vjet më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Veselit.

Ai së bashku me pesë persona të tjerë dyshohet që kanë mashtruar një qytetar që jeton në Norvegji. Rasti ka të bëjë me shitblerjen e një banese në Prishtinë.