Detyrat e reja në krye të ministrive kanë marrë sot disa prej anëtarëve të rinj të kabinetit të kryeministrit Avdullah Hoti.
Derisa ministrat e deritanishëm të LDK-së dorëzuan detyrat tek ministrat e rinj, një gjë të tillë nuk e bënë ata nga Lëvizja Vetëvendosje.
Udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit ia ka dorëzuar ministrit të ri Ramë Likaj ish-ministrja Hykmete Bajrami, raporton KOHA.
Detyrën e ministrit të Infrastrukturës, bashkëpartiakut të tij, Arban Abrashi, ia ka dorëzuar ish-ministri Lumir Abdixhiku.
Mandatin nga ministritë e udhëhequra deri më tani nga Vetëvendosje, atyre të LDK-së ua dorëzuan pjesëtarë të stafit civil.
Kështu, i rikthyeri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, drejtimin e kësaj ministrie nuk e mori nga ish-ministri Xhelal Sveçla.
Nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë e mori edhe Armend Zemaj.
Nesër pritet të përfundojë pranim-dorëzimi i të gjitha ministrive nga Qeveria Kurti tek ajo Hoti.