13:37

Themelohet Komisioni Hetimor për pandeminë dhe miratohet Fondi i Kursimeve Pensionale

Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020, është miratuar.

Në votim morën pjesë 73 deputetë dhe të gjithë votuan për pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

“Kuvendi miratoi kërkesën e fondit të kursimeve pensionale për caktimin e taksës investive prej 0.33 për qind dhe taksës operacionale prej 0.065 për qind për vitin 2020”, tha Osmani.

Kuvendi ka bërë edhe zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare sipas propozimeve të grupeve Parlamentare. 

Kësisoj, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar.

13:23

Themelohet Komisioni Hetimor për punën e Qeverisë gjatë pandemisë

Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë.

74 kanë votuar për themelimin e këtij komisioni, që sipas propozueses, deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, do të merret me gjithçka që ka të bëjë me pandeminë, më atë që është bërë nga Qeveria, do të hetojë vdekjen e Agon Musliut në Qendrën e Studentëve derisa ishte i karantinuar dhe asaj që do të bëhet në lidhje me situatën e krijuar. Dhjetë deputetë abstenuan, ndërsa kundër nuk kishte asnjë.

Anëtarë të këtij komisioni janë zgjedhur: nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nga LDK-ja, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha - zv.kryesuese e Bekim Haxhiu, nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj, nga Lista Serbe, Milosh Peroviq, nga Nisma-AKR, Endrit Shala.

Formimin e komisionit e ka mbështetur edhe Vetëvendosje.

12:18

Ismaili: Testet nga Serbia u sollen në Kosovë nga njerëz të Gjuriqit

Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar në fjalimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për të dhënat që dha lidhur me furnizimet gjatë kohës së pandemisë dhe më herët.

E gjitha nisi pasi që Osmani tha se Ministria e Shëndetësisë nga viti 2016 nga shteti i Serbisë ka pranuar donacion në vlerë dhjetëra miliona euro, barna e pajisje mjekësore.

Ismaili u ndal te testet e dhuruara nga Serbia së fundi për COVID-19, derisa për donacionet në kohën kur ishte ministër tha se gjithçka shkoi sipas ligjeve në fuqi.

“Testet kanë ardhur në gepek, jo në bagazh, se s’kanë ardhur nga Shqipëria, por nga Serbia. Kanë hy brenda me njerëz të Gjuriqit, nuk i ka pritur askush, i kanë çu në Institut kontrabandë dhe nuk i ka përdor Instituti. Ky është realiteti, mos e amnistoni shkeljen e ligjit me një gjysmë të vërtetë. Donacionet të cilat kanë ardhur, kanë ardhur në bazë të ligjeve dhe iu kanë parashtruar të gjitha kërkesave të Republikës”, tha Ismaili.

E në reagimin e saj, Osmani tha se donacioni i Serbisë, për të mbetët i papranueshëm.

“Nuk e arsyetoj mënyrën se s’i kanë hyrë, është punë e Komisionit Hetimor, nuk e thash këtë, për mua donacioni nga Serbia, s’ka arsyetim. Por unë këtë qëndrim politik e dhashë, që kjo letër më ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë, ashtu siç jam informuar unë, edhe juve do t’ua përcjell”, tha Osmani.

11:59

Osmani i reagon Ismajlit në thirrjen të mos qeshë kur flasin deputetët: Harroje

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i ka reaguar ashpër deputetes së PDK-së, Besa Ismajli-Ahmeti, për deklaratën e saj, ku e ftoi “të jetë në krye të detyrës dhe të mos qeshë gjatë fjalimeve të deputetëve”.

“S’e kisha në plan të flasë, s’duhet të luajë rolin e prokurorit, derisa në po flasim, ajo po kryen detyrat. Si grua në politikë që karrierën e ka filluar shumë e re, diku 20 vjeç dhe është e pamundur që të mos dal e të mos i përgjigjëm zonjës Ismajli, ato i marr si kompliment. Në aspektin personal nuk do t’i përgjigjem, por po përgjigjem pasi ka dhjetëra mijëra vajza të vogla që na shikojnë çdo ditë, e më e pakta që presin është që gratë në këtë Kuvend të mos tentojnë që të shtyjnë një kulturë të tillë, ku grave duhet me iu tregu kur me fol e kur me kesh, harroje që një kulturë të tillë e pranoj. Kur folët ju për gjuhën çnjerëzore të burrave që kanë udhëhequr Kuvendin? Kur ngritët zërin për ofendimin e të gjitha grave nga burrat e të gjitha partive?”, tha Osmani.

11:33

Haxhiu: Qeveritarët që ikën u bënë milionerë në pandemi

Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike, ka kërkuar Komision Hetimor Parlamentar për pandeminë sepse tha se në Qeverinë Kurti, ka pasur vjedhje gjatë pandemisë. Ai ka kritikuar se është bërë manipulime edhe me shifra.

"Qeveritarët kanë vjedhur në pandemi. Ata që ishin në partinë në pushet (VV) liroheshin nga karantina. U bënë milionerë në pandemi. Kontraktuan më shumë se 5 milionë euro. Vetëm një kompania e afërt me VV kishte dy punëtorë që u kontraktua, dhe ka kontraktuar mbi 3 milionë euro kontrata”, tha Haxhiu.

Haxhiu kritikoi Qeverinë Kurti që lejoi ndërhyrjen e sistemit serbë në shëndetësi.

“Është vjedhur prej maskave, dorëzave, paracetamolave, me kontrata të dyfishta e deri në thasë për kufoma”, tha ai.

11:29

VV-ja përkrah forminin e Komisionit Hetimor për pandeminë, ofron bashkëpunim

Vetëvendosja ka ofruar votat për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë dhe ka premtuar bashkëpunim.

Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, mirëpriti nismën.

“Ky komision, të cilin e kemi përkrahur qysh kur është propozuar, me vendosmëri do të ofrojmë bashkëpunimin tonë maksimal. Nuk jemi kundër asnjë lloj hetimi, qoftë edhe parlamentar, u uroj suksese në këtë hetim, ndonëse për rastet e theksuara ka edhe hetim tjetër nga drejtësia. Ky komision vetëm sa na bënë nderë. Me këtë rast e falënderoi ministrin Arben Vitia për të gjithë punën që ka bërë me pandeminë”, tha shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.

Për anëtarë të këtij komisioni janë propozuar: nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nga LDK-ja, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Rasim Demiri, nga PDK-ja, Eliza Hoxha - zv.kryesuese e Bekim Haxhiu, nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj, nga Lista Serbe, Milosh Peroviq, nga Nisma-AKR, Endrit Shala.

Propozuesja, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se Komisioni do të merret me gjithçka që ka të bëjë me pandeminë, më atë që është bërë nga Qeveria, do të hetojë vdekjen e Agon Musliut në Qendrën e Studentëve derisa ishte i karantinuar dhe asaj që do të bëhet në lidhje me situatën e krijuar.

10:59

Osmani njofton se Grupi 6+ nuk ekziston më

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nga data 3 qershor Grupi 6+ nuk ekziston më.

Osmani ka njoftuar se deputetja Zikreta Aliti ka dhënë dorëheqjen.

“Nga data 3 qershor, Grupi 6 plus nuk ekziston më. Deputetja Zikreta Aliti më 2 qershor njoftoi për dorëheqjen nga GP 6 plus”, tha kryeparlamentarja.

Osmani tregoi se edhe në komisione parlamentare nuk do të ketë përfaqësim ky grup.

“Për krijimin e një grupi parlamentar nevojiten 5 për qind e Kuvendit ose së paku 6 deputetë. Kur numri bie nën këtë minimum, grupi nuk ekziston më”, tha Osmani.

Sipas Osmanit. Grupi 6 plus i humb të drejtat për përfaqësim në komisione parlamentare e sipas saj, përjashtim bën grupi për të drejtat e interes të komuniteteve.

10:55

Gaxherri deputetëve të VV-së: Lini broçkullat e vajtimet, Kosova s’ka kohë për lojërat e juaja

Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike, tha se është koha që Qeveria Hoti të nisë punën seriozisht. Por, ka kritikuar ish-bashkëpartiakët nga Vetëvendosja.

“Pa vajtuar, kolegë të nderuar deri dje partnerë, ju lus t’i lini broçkullat e vajtimet sepse keni ikur prej përgjegjësie, kurrkush nuk ju ka larguar. Ne jemi këtu, Kosova s’ka kohë për lojërat e juaja. Ata që janë serioz vazhdojnë punën. Z.Hoti, do të jemi bashkë e do të punojmë shumë sepse kemi punë”, tha Gaxherri.

Ndërkohë, ka kërkuar nga Qeveria të ketë prioritet viktimat e dhunës seksuale.

10:51

Kusari-Lila i reagon Gashit: Standardi juaj i dha forcë ekzekutive presidentit

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila i ka reaguar shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili në fjalën e tij “i uroi” mirëseardhje VV-së si parti opozitare, duke i thënë “mirësevini në një standard të ri”.

Kusari-Lila tha se ky vërtetë është standard, por jo i ri. Sipas saj, ky standard është vazhdimësi e atij të ngritur kur në kohë pandemie u rrëzua një Qeveri.

“E vërtetë se Kosova ishte në media botërore, por për turpin e rrëzimit të Qeverisë në pandemi, ky është standard që u vazhdua dje, standard qe ia ka dhënë forcën ekzektutive presidentit. Ai është i pajisur me forcën e ekzekutivit. Standard i ri është me tregu një deputet që tregon se natën i shkon presidenti dhe ish-kryeministri për me bind me votu qeverinë. Standard i ri është që në ditën kur u varrosën dy minatorë, të hedhen fishekzjarrë në Prishtinë për 10 minuta. Atë që s’e keni marrë me vota, e keni marrë në tavolinë me ndërmjetësimin e presidentit”, ka thënë Kusari-Lila.

10:43

Haxhiu: Kuvendi sot iu kthye normalitetit

Teuta Haxhiu nga AAK-ja, tha se sot Kuvendi i Kosovës iu kthye normalitetit.

“Të jeni të përgjegjshëm sepse ne jemi këtu, edhe do t’ju përkrahim edhe do t’u mbajmë përgjegjës. Kuvendi po kthehet normalitetit. Sot po fillojmë mbarë edhe pse në kohë pandemie”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu tha se duhet ngritur shqetësime, lidhur me çështjen arsimore. Kësisoj, ka ngritur shqetësime sa i përket KSHC-së.

“Për KSHC u votua në këtë Kuvend dhe me përkushtim të komisionit, kur kryetar ishte Ismail Kurteshi, që me përkushtim morëm përgjegjësi të hartojmë një dokument. Një problem që është brenda, duhet ta dinë të gjithë. Institucionet po presin t’i akreditohen programet. Studentët kanë aplikuar në institucione prestigjioze për master e doktoraturë. Kanë fituar bursa dhe është dashur të kthehen sepse diplomat nuk u kanë vlejtur. Akreditohen programet, studentët fillojnë studimet dhe diploma u del e pavlefshme. Ramë Likaj, do ta mbaj përgjegjës për punën që ai do të nis si ministër i Arsimit”, tha Haxhiu.

10:40

Hamza thotë se Qeveria Kurti dështoi me menaxhimin e pandemisë

Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza, ka adresuar çështjen e luftimit të pandemisë dhe të zhvillimit ekonomik në seancën që është duke u mbajtur.

Ai në adresimin e tij para deputetëve tha se PDK-ja ka ofruar draft-ligje e ide për daljen nga kriza, ndërkohë tha se qeveria e shkuar, ajo Kurti, ka dështuar në këtë aspekt.

Sipas tij, deri më tash, për këtë çështje janë ndarë 55 milionë euro.

“Deri me tash vetëm, vetëm rreth 55 milionë janë paguar, më pak se 1 për qind e bruto produktit vendor. Bizneset nuk janë përkrahur, një pjesë e sektorit privat janë kompensuar me pagë minimale 170 euro, por jo të gjithë, ka që janë bërë në mënyrë selektive. Por pyetja shtrohet, si do të bëhet pagesa në muajt e ardhshëm, duhet ligj për këtë punë. Shumë kategori s’janë përkrahur fare, pensionistë kontribut dhënës, kategoritë e dala nga lufta”, ka thënë Hamza.

10:35

Gashi: Të dashur opozitarë, mirëserdhët në realitetin e ri politik

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, ka falënderuar ish-bashkëpartiakët e tij me të cilët ishte në pushtet deri sot.

Por, siç tha Gashi, sot, është dita kur vendosin standarde të reja të punës,

“Standardi unë do të jetë gjuha e bashkëpunimit. Nuk do të ketë standarde që e vendos Serbinë në titujt e gazetave prestigjioze. Ne do të flasim butë por do të veprojmë fort. Do të bashkëpunojmë. Nuk do të keni mundësinë që të silleni me mentalitetin e shkarkimeve të mesnatës apo deklaratave që i keni instaluar në Kuvend. Të dashur opozitarë të sotëm e të djeshëm, të dashur bashkëpunëtor të djeshëm e opozitarë të sotëm, mirëserdhët në realitetin e ri politik, në bashkëpunimin pozitë opozitë, ju garantoj se lajmet në gazetat prestigjioze do të jenë në favor të Kosovës, ju garantoj se për çdo vendim ju do të jeni të përfshirë dhe të informuar”, tha Gashi, raporton KOHA.

10:25

Deputetët nisin të mblidhen në Kuvendin e Kosovës

Pak para fillimit të seancës plenare, në objektin e Kuvendit të Kosovës janë parë duke hyrë deputetë të partive parlamentare.

Nga PDK kanë ardhur Bedri Hamza, Abelard Tahiri, Bekim Haxhiu, Valdete Idrizi, Hajredin Kuçi dhe Uran Ismajli. Ndërkohë që edhe nga VV janë parë duke hyrë në Kuvend Fatmire Kollqaku, Saranda Bogujevci, Gazmend Gjyshinca, deputetja e LDK Lirije Kajrazi dhe Fidan Rekaliu. Po ashtu edhe disa nga deputetët e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, raporton ksp.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka arritur në Kuvendin e Kosovës. Bashkë me të ishin edhe ministrat Meliza Haradinaj dhe Selim Selimi.

Thirrja e seancës është bërë para formimit të re të Qeverisë Hoti dhe do të diskutojë propozimin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020 dhe propozimi i Grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

10:00

Osmani do ta udhëheqë seancën e sotme plenare

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani do ta drejtojë seancën e sotme plenare që pritet të nisë pas pak, raporton KOHA.

Në rend të ditës pritet edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Osmani, për shkak të pakënaqësive me Qeverinë e re Hoti, dje nuk drejtoi seancën ku u votua qeveria, të cilën e drejtoi Kujtim Shala. Porse sot, Osmani do të jetë në vendin e kryeparlamentares.

08:19

Sot seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot seancë plenare, e cila fillon nga ora 10:00.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media. Seanca pritet të nisë me deklarimet jashtë rendit të ditës, të vazhdohet me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme e të vazhdohet me pikat e tjera të rendit të ditës.

Njoftimi i plotë:

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Propozimi për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020,

Propozimi i Grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Njoftim lidhur me qasjen e mediave në punimet e seancës

Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, ju njoftojmë se prezenca mediave në këtë seancë, do të jetë e pamundur.