Arbëri

Sveçla i pakënaqur me Prokurorinë: Liroi shumicën e dhunuesve në kohë pandemie

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i pakënaqur me punën e Prokurorisë gjatë periudhës së pandemisë me koronavirusin. Në Deskun e KOHËS, ai ka thënë se Prokuroria ka marrë vendime qesharake ndaj rasteve të dhunës në familje dhe dhunimeve.

“Kishim mospunë të Prokurorisë, vendimet apo aktivitetet e policisë i minimizonte me vendime qesharake. Një element kriminal që shënoi rritje, si dhuna në familje dhe dhunimet, ajo i ndëshkonte me masa qesharake. Në rastet kur dhunuesi i pranonte veprat ata ose e lironin të mbrohej në liri ose në arrest shtëpiak. Ka pas rritje rreth 240 për qind. Ishin 18 dhunime, shumica janë liruar. 6 dhunime të të miturave dhe miturve dhe shumica prej dhunuesve janë liruar të mbrohen në liri apo në arrest shtëpiak. Kjo ishte e çuditshme. Me kryeministrin e ministren e Drejtësisë ftuam edhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor edhe Prokurorial edhe Policinë që të informoheshim dhe aty më shumë dëgjova gjuhë të OJQ-ve se të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimat e për të parandaluar potencialisht viktimat e ardhshme. Janë shifra zyrtare”, ka deklaruar Sveçla.