Për dallim nga një ditë më parë, këtë të martë shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, nuk është shprehur i sigurt se për Qeverinë Hoti do të votojnë mbi 63 deputetë.
Duke mos pranuar të japë më shumë detaje, Gashi tha se secili deputet ka mundësinë të japë vlerësimin e vet në seancën që do të mbahet të mërkurën, raporton KOHA.
Por, Gashi është i bindur që të mërkurën do të përfundojë procesi i formimit të Qeverisë së re. Shefi i deputetëve të LDK-së as këtë të martë nuk ka treguar se kur do ta publikojnë marrëveshjen me Listën Serbe.
Derisa shumë shkurt ka folur edhe për synimin e partisë së tij për postin e kreut të shtetit.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar se si do të veprojë në seancën ku pritet të votohet Qeveria Hoti.
Seanca në të cilën pritet që Avdullah Hoti të votohet për të parin e Qeverisë, do të mbahet të mërkurën, më 3 qershor me fillim nga ora 11.