18:56

Osmani Lajçakut: Refuzimi i reciprocitetit është refuzim i marrëveshjeve nën ombrellën e BE-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se refuzimi i parimit të reciprocitetit nënkupton refuzim të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Bashkimit Evropian.

Kësisoj, ajo i ka reaguar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka kërkuar heqjen e reciprocitetit.

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës të shtunën mbrëma ka vendosur masa të reja të zbatimit gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Pjesa më e madhe e tyre i referohen CEFTA-s (që përfshin parimin e reciprocitetit) teksa disa prej tyre kërkojnë qartaz reciprocitet në raportet tregtare. Marrëveshjet iu referohen masave reciproke në tregti dhe respektim të standardeve ndërkombëtare. Standardi më i rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare: reciprociteti. Ajo çfarë po bën Kosova është saktësisht çfarë po na kërkoni të bëjmë: zbatimin e marrëveshjeve. Ka ardhur koha që Serbia ta bëjë pjesën e vet”.

16:28

Kurti Lajçakut: T’ia mohosh Kosovës reciprocitetin do të thotë t’ia mohosh të drejtat sovrane

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se t’ia mohosh parimin e reciprocitetit Kosovës është t’ia mohosh ushtrimin e të drejtave sovrane të saja.

Kësisoji ai ka reaguar ndaj një postimi në Tëitter të të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili e ka kërkuar heqjen e masave të reciprocitetit.

“T’ia mohosh parimin e reciprocitetit Republikës së Kosovës është t’ia mohosh ushtrimin e të drejtave sovrane të saja. Kosova dëshiron raporte fer dhe të drejta me fqinjtë e saj. Dialogu është midis dy të barabartëve dhe Serbia duhet ta shohë Kosovën si të barabartë në secilën tavolinë”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Në këtë status ai po ashtu ka bërë një përmbledhje të procesit drejt heqjes së taksës dhe zëvendësimit të tij me reciprocitet.

Ai ka bërë të ditur së në fund të shkurtit e kishte paralajmëruar heqjen graduale të tarifës 100 për qind dhe zbatimin gradual të parimit të reciprocitetit me Serbinë.

“Gradualisht pasi që dëshironim që autoritetet doganore nga të dyja anët e kufirit të përgatiteshin në mënyrë adekuate”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar po ashtu se që nga ajo kohë Qeveria ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë – të gjitha si reagim ndaj barrierave jotarifore, të vëna nga Serbia ndaj Kosovës.

“Kur të identifikohen barrierat tjera, do të zbatohen masa të reja reciprociteti”, ka shkruar ai.

12:58

Lajçak kërkon heqjen e menjëhershme të reciprocitetit

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i zhgënjyer me masat e reciprocitetit, të vëna nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Veprimet e tilla të njëanshme e cënojnë vazhdimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Si është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe respektojnë marrëveshjet e mëparshme”, shkruhet në një postim të tijin në Twitter.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur me zbatimin e reciprocitetit për mallrat serbe. Sipas vendimit të Qeverisë, në raportet tregtare me ndërmarrjet serbe, ndalohet dokumentacioni rreth produkteve bujqësore dhe industriale në të cilin nuk përdoret emri “Republika e Kosovës”, transmeton KOHA.

“Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin 'Republika e Kosovës' në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkruhet në vendimin e të së shtunës, të Qeverisë.