23:38

Haxhiu: Kushtetuesja i dha grusht vullnetit të popullit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur skandaloz aktgjykimin e Kushtetueses në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë.

Ajo përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka thënë se Kushtetuesja i dha grusht vullnetit të popullit.

“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit!

Vendim skandaloz!”, ka shkruar Haxhiu, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

23:28

Çeku i VV-së: Aktgjykimi, skandaloz dhe tejkalon frymën e Kushtetutës

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

Kushtetuesja, të enjten mbrëma, i dha të drejtë Thaçit për dekretin që e mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

“Njoftimi për Aktgjykimin jo vetëm që është skandaloz, por e tejkalon edhe tekstin edhe frymën e Kushtetutës si tërësi. Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë interpretim të dispozitave kushtetuese, por ka krijuar dispozita të reja lidhur me afatet dhe kompetencat e Presidentit. Objekt shqyrtimi ka qenë Dekreti i presidentit dhe jo konsultimet e presidentit me partitë politike, të cilat nuk parashihen dhe nuk kanë qenë kurrë praktikë kushtetuese pas mocioneve të mosbesimit në të kaluarën. Gjykata Kushtetuese në mënyre arbitrare ka vendosur afate të cilat nuk ekzistojnë në Kushtetutë. Gjykata nuk është Kuvend. Republika nuk është Hashim. Zgjedhjet nuk kanë alternativë”, ka shkruar në Facebook deputeti i VV-së.