Arbëri

Demhasaj: Ka rrezik që të keqpërdoret ligji për konfiskim të pasurisë së paligjshme pa aktgjykim dënues

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka thënë se ekziston rreziku që akterë të ndryshëm ta keqpërdorin ligjin për konfiskim të pasurisë së paligjshme pa një aktgjykim dënues, që është favorizuar si opsion i koncept-dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Në Express Intervistën në KTV, Demhasaj ka thënë se një ligj i tillë do t’i linte hapësirë politikanëve që të shfrytëzojnë ndikimin e të tjerëve për të qëruar hesapet ndaj rivalëve.

“Duke e marrë parasysh sistemin e brishtë të drejtësisë, ndikimet politike brenda sistemit, mund të përdoret për qërim hesapesh për aspektin politik e të tjera. Mund të keqpërdoret, por mund të keqpërdoret edhe baza penale që e kemi tash. 50 për qind e akuzave që ngrihen për korrupsionin tash hidhen poshtë. Duke marrë parasysh këto ekziston rreziku që të përdoret për qërim hesapesh edhe për aspektin politik”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Sipas Demhasajt, ky ligj duhet të punohet në kohë paralele me procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Vettingu e kjo duhet të kalojnë në paralele. Të punohet për bazën ligjore për konfiskim, por të mos hyhet njëherë në zbatim, e kur të kemi sistem të pastër edhe nga integriteti dhe lidhjeve politike atë kohë duhet të implementohet edhe ky ligj. Pra paralelisht, mbyllet vettingu e mbyllet trajnimi dhe nis masa e re ligjore. Është përfolur që vettingu mund të përmbyllet për dy vjet, edhe ky ligj duhet të hyjë në fuqi atë kohë”, ka shtuar Demhasaj.

Demhasaj ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë se nuk është konsultuar fare me shoqërinë civile për koncept-dokumentin.

Ai ka shtuar se Kosova ka shumë vende të Bashkimit Evropian që mund t’i marrë shembull për këtë ligj.

Megjithatë, Demhasaj ka ngritur shqetësimin se proceduralisht kjo iniciativë mund të kthehet në pikën zero, “sepse ligjet e aplikueshme obligojnë që nëse krijohet qeveri e re, çdo proces i bëries së ligjeve kthehet në pikën zero. Edhe ky dokument nëse shkohet në zgjedhje krijohet në pikën zero, por edhe nëse bëhet qeveri e re, një qeveri mund të mos e marrë parasysh këtë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë po ashtu se drafti për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë tё pajustifikueshm jep tri mundësi, që të mbesin ligjet ato që janë dhe të zbatohen, që të mos ndryshohet ligji por të implementohet baza ligjore duke trajnuar gjyqtarë e prokurorë dhe e treta që parasheh ligj të ri.