5 perditesime
21:53

Gashi e Vasolli vlerësojnë se duhet konsensus i brendshëm dhe ndryshim i qasjes ndaj BE-së

Kosovës i duhet të ketë konsensus të brendshëm politik e përfaqësim me një zë para ndërkombëtarëve. Kështu kanë vlerësuar gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, dhe njohësi i çështjeve të integrimit evropian, Besnik Vasolli. Sipas tyre, qasja e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian duhet të ndryshojë e ajo të ndërtohet në mirëbesim.

“Duhet të ndryshojë qasja e qeverive në raport me përmbushjen e dokumenteve të ndryshme e të mos përdoren për lufta të brendshme politike, ose për të sulmuar kundërshtarët politikë. Kjo qasje refuzuese sa i përket rolit lehtësues të BE-së në dialog, ku Thaçi ka qasje refuzuese ndaj përfaqësuesit të caktuar nga BE-ja. Vazhdimisht ka ndodhur kështu, edhe te demarkacioni, ky është problemi kryesor. Qasja duhet të ndryshohet për përmbushje të reformave sidomos në kriterin për sundim të ligjit. BE-ja do të kërkojë vazhdimisht luftë ndaj krimit e korrupsionit. Kosova ishte vendi i vetëm që në kohë krize pandemie krijoi krizë politike. LDK-ja që inicioi mocionin s’tregoi ndjeshmëri për situatën. BE-ja kërkoi të kalojë kjo e të kthehet pastaj beteja politike. Sa i përket letrës së Gjermanisë e Francës, vjen në kohën kur po shohim rol më të madh të SHBA-së në dialog. Ka përpjekje që BE-ja ta marrë sërish dialogun në duar, sipas rezolutës së vitit 2011 ku thuhet se ndërmjetësuesi i vetëm është BE-ja. Por tashmë kanë ndryshuar rrethanat, tash presidenti po mohon BE-në për dialogun. shpesh ka thënë se BE-ja duhet të heqë liberalizimin e pastaj të mendojë se a mund të ketë kontribut”, ka thënë Gashi në Deskun e KOHËS, duke shtuar se megjithatë BE-ja po dëshiron rol udhëheqës nga kryeministri.

Sipas tij, paraqitja e Kosovës me dy qëndrime në arenën ndërkombëtare i ka bërë dëm vendit.

Në anën tjetër, Vasolli ka thënë se kredibiliteti është ndër çështjet kryesore në relacionin me BE-në.

Ai ka thënë se nëse krijohet besimi mes palëve, punët do të ecnin më lehtë.

“Ne s’jemi dëshmuar që kemi kredibilitet, s’ka konsensus të brendshëm për çështje si dialogu e për kriteret për liberalizim, por edhe me krizat politike që shkaktohen në kohë pandemie nga të gjithë jo vetëm nga dikush, por nga të gjithë. Për të mos pasur krizë, duhet të tejkalohen dallimet. Me neve nuk janë duke u marrë. Është mesazh në vete. Jemi lënë anash sikur thonë le të rehatohen për vete e më pas shohim me kë mund të flasim atje”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendi është vonuar me qasjen për integrim në BE. Ka shtuar se mendësia e sundimit të ligjit duhet të zgjerohet edhe në shoqëri e vendit i duhet të reflektojë në këtë aspekt.

Ndërkaq, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se qytetarët kishin bërë ndryshimin në zgjedhjet e fundit, “por ky ndryshim hasi në vështirësi edhe për shkak të kryeneçësisë së këtyre liderëve që patën mundësinë të qeverisin vendin”.

Ai ka thënë tutje se ndërkombëtarët nuk do të mund të kuptojnë se në Kosovë ka nevojë për një proces të ri të vetingut.

“Për vettingun, si politikë që ne si IKD e kemi rekomanduar qe një dekadë, kemi lobuar edhe te kryeministri Haradinaj të ketë reformë që të bëhej nga qeveria ‘Haradinaj 2’, por u bë e çuditshme që dy muaj pasi u bë kryeministër, ai u përgjigj që s’ka nevojë të ketë vetting. E lexoja planin e qeverisë që të ketë proces dhe e shihja një përgjigje, ia kam bë nja tri katër pyetje dhe mbeta pa u informuar. Politika e kësaj qeverie ishte adekuate në këtë drejtim dhe vettingu edhe si pjesë e programit të VV-së e LDK-së ishte ajo që e pritëm shumë. Ka skepticizëm nga ndërkombëtarët këtu, sepse kur ishte bërë, qëllimi ka qenë të ketë fytyra të pastruara për mes verifikimit jo shumëpërmbajtësor, por më shumë formal. E t’u themi atyre që çdo dhjetë vjet bëjmë vetting, është e pakapshme, por duke ua pa investimet në këtë sistem të drejtësisë e pa rezultate, ne s’kemi zgjidhje tjetër”, ka thënë ai duke shtuar se këtë proces duhet ta udhëheqin ndërkombëtarët.

E ka quajtur hipokrizi një bashkim të LDK-së me AAK-në, të partive që njëra ka në plan vettingun e tjetra jo.

21:16

Musliu: Nga 48 aktakuza, vetëm një ka përfunduar me burgim efektiv dhe ajo është kthyer në rigjykim

Betim Musliu thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të pritet si dhuratë nga Bashkimi Evropian, por duhet të fitohet.

Musliu, që vjen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha në “Deskun” e KOHËS se liberalizimi nesër nuk do të përmirësojë sundimin e ligjit e as nuk do të dënojë haraçxhinjtë.

“Sundimi i ligjit dhe haraçxhinjtë nuk mund të largohen nëse lëvizim lirshëm në Evropë, mund të largohen vetëm kur të kemi një sistem të pavarur. Që ai rast që denoncohet do të trajtohet ashtu siç duhet, jo që politikani i fuqishëm ose një biznesmen që ka biznesin të mbështetur në aktivitete kriminale të jetë më i fuqishëm sesa sistemi i drejtësisë”, ka thënë Musliu.

Ai tregoi se prej vitit 2014, kur është themeluar mekanizimi për shenjëstrimin e rasteve të krimeve rëndë, deri sot janë 60.

“Qëllimi kryesor i rasteve të krimeve të renda, është që të ketë potencial për të konfiskuar pasuri që është fituar përmes aktiviteteve kriminale dhe që shkon nga krimi i organizuar. E çka bëjnë tash këta? E konsiderojnë rast të rëndë një falsifikim të një avokati publik të Komunës së Gjakovës. Dy herë e kanë akuzuar për dy raste që janë totalisht të thjeshta dhe që nuk janë krime të rënda”, është shprehur Musliu.

Ai ka bërë të ditur se deri më tash janë ngritur 48 aktakuza, kurse të tjerat janë në hetim dhe për to nuk ka informacione.

“Prej këtyre, 40 për qind janë të formës së prerë. 19 aktgjykime janë përfundimtare, që janë raste të thjeshta, raste që kanë përfunduar me lirim. Prej atyre të profilit të lartë, që janë 7 sosh, 4 kanë përfunduar me lirim. Në shkallë të parë e kemi e vetëm një rast që ka përfunduar me burgim efektiv, bëhet fjalë për Ferid Aganin dhe, edhe ky rast është kthyer në rigjykim. Deri tash nuk ka asnjë dëshmi që ndonjë rast i profilit të lartë është dënuar”, ka thënë Musliu.

20:54

Palokaj: BE-ja s’ka vullnet për liberalizim të vizave, e në Kosovë s’ka vullnet për të luftuar krimin

Sipas korrespodentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, Bashkimi Evropian nuk ka vullnet që të liberalizojë tash vizat për Kosovën, ndërsa në Kosovë s’ka vullnet për të luftuar krimin siç ka kërkuar BE-ja.

Duke folur për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, Palokaj ka thënë se po të donte BE-ja që të bënte liberalizimin do të gjente mjaftueshëm arsye për ta bërë këtë.

“Sa i përket liberalizimit, as BE-ja s’ka vullnet për të liberalizuar vizat në këtë moment, e as në Kosovë s’ka vullnet të sinqertë për të luftuar krimin e korrupsionin në nivel të lartë siç kishte kërkuar BE-ja. Po të ekzistonte në BE vullneti për liberalizim do të gjendeshin mjaft arsye për ta bërë këtë. Mirëpo po të duan për të gjetur arsyetime për mosliberalizim mund të thonë se s’ka konfiskime të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme e prokuroria e gjykatat s’po bëjnë punën me dinamikë siç kërkon një luftë e sinqertë kundër krimit e korrupsionit. BE-ja pret që këto të bëhen nga gjykatat, nga policia, ndërsa sa i përket politikës duhet të luftohet korrupsioni në radhët e veta. Jemi në situatë kur s’ka sinqeritet nga asnjëra palë”, ka thënë ai duke shtuar se “tash topi është te shtetet anëtare të BE-së”, e duke përmendur Holandën e Francën si vende me qëndrim më skeptik.

Sipas Palokajt, është ndërlidhje e rrezikshme ideja se pa liberalizim të vizave s’do të ketë vazhdim të dialogut me Serbinë. Ai ka thënë në një lidhje direkte në Deskun e KOHËS se kjo mund të bëhet mjet shtesë për vonim të mëtejmë të liberalizimit të vizave.

“Është për mendimin tim ndërlidhje e rrezikshme. S’do të hyja në aso veprime sikur të mos kishte atëherë premtime për liberalizim vizash, ndërsa sot Komisioni Evropian ka thënë se janë përmbushur kriteret. Procesi është përfunduar dhe vetëm pritet qëndrimi politik, është rrezik i madh të ndërlidhet me dialog sepse BE-ja, me struktura pa rol të rëndësishëm si Lajçaku, do të merrnin armë për të përdorur dialogun. S’do të jetë dialog i shpejtë, do të ketë kohëzgjatje më të madhe se që presim. Do të përdoret dialogu për të zhagitur edhe më shumë liberalizimin. Do të përdorej liberalizimi si karotë për Kosovën dhe mjet për ta shantazhuar Kosovën siç ishte marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”, ka shtuar Palokaj.

20:47

Gashi: Kosova duhet të zbatojë në tërësi MSA-në nëse dëshiron të përparojë në rrugën e integrimit

Image

Gazetari Fitim Gashi, thotë se Kosova obligohet të përmbushë në tërësi të gjitha pikat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), në mënyrë që të përparojë në rrugën e integrimit evropian.

Gazetari i KOHËS ka thënë në emisionin “Desku”, se mes këtyre pikave është edhe themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Sipas tij, qeveria aktuale, në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, të hartuar së fundmi, ka lënë Asociacionin që të zgjidhet në kontekst të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të, por kështu nuk mendojnë edhe të përfshirët në këtë proces, ndërkombëtarët.

“Planin i ri kombëtar për zbatimin e MSA-së nuk ka shumë dallim me të kaluarin. Miratimi i këtij pani ndodhi në kohën kur vendi po përballet me një krizë politike, aty janë të përshkruara shumica e çështjeve që janë trajtuar nga qeveritë e kaluara. Ajo që na ka interesuar është çështja e dialogut, që ka qenë edhe arsye për rënien e qeverisë. Qeveria aktuale ka marrë zotimin për trajtimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, të cilat në të kaluarën i ka kundërshtuar, ka qenë kundër. Kryesorja ka qene Asociacioni. Por kjo është përfshirë në kontest të aktgjykimit të GJK-së. Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 ka konstatuar shkelje në 7 kapituj, por nuk e ka hedhur poshtë. Ajo ka thënë se duhet të ktheheni në marrëveshjen e 19 prillit 2013. Në bazë të përgjigjes që kemi marrë nga qeveria, aktgjykimi e ka zhvlerësuar themelimin e Asociacionit, por kështu nuk e thonë atë që janë përfshirë, ndërkombëtarët. Pra Kosova obligohet që të zbatojë të gjitha pikat MSA-së, në tërësi në mënyrë që përparojë në rrugën e integrimit evropian”, ka thënë Gashi.

20:27

Musliu: Qytetarët ia panë sherrin politikës për mosliberalizim të vizave

Image

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se qytetarët po vazhdojnë t’ia shohin sherrin politikës për mosliberalizim të vizave. Në Deskun e KOHËS, Musliu ka thënë se zhvillimet politike në vend po bllokojnë çdo progres të mundshëm dhe si pasojë e tyre akoma s’ka liberalizim.

Ai ka thënë se për Qeverinë Kurti është vështirë të bëhet vlerësim real për punën, duke u bazuar në pak ditë që i ka pasur në udhëheqje. Sipas tij, në aspektin e sistemit të drejtësisë ka qenë nisja e vettingut si proces që duhet të vlerësohet.

Musliu ka thënë se në politikë pati iniciativa që mund të përkraheshin nga Bashkimi Evropian, por ka kritikuar luftën në praktikë ndaj korrupsionit.

“Sistemi i drejtësisë dhe policia janë të njëjta dhe rezultatet që kanë munguar tash e një dekadë po mungojnë ende. Deri më sot sistemi s’ka dhënë dëshmi se po i trajton me prioritet dhe po bën luftë ndaj korrupsionit. Edhe ajo që është theksuar në raportet e progresit, në aspektin e politikave, e krijimit të mekanizmave, por s’është theksuar lufta e vërtetë kundër korrupsionit. Gjithmonë janë munduar ta vlerësojnë, për shembull krijimin e mekanizmit të shenjëstrimit të rasteve të rënda, por s’ka pas diçka tjetër. Vazhdon të përsëritet qëndrimi që në Kosovë me gjithë ato investime në burgje, s’ka asnjë politikan a zyrtar të profilit të lartë të dënuar me vetëm një ditë. Jemi lodhë duke publikuar asetet të shumta që janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme e s’ka asnjë konfiskim nga shteti. Këto rezultate s’po na bindin as neve e lëre më shtetet e BE-së që thjesht duan të binden me cilin shtet po bëjnë marrëveshje”, ka shtuar ai.

Sipas tij, qytetarët e kanë merituar liberalizimin, por për shkak të hesapeve të politikanëve, gjithçka ka ngecur.

“Jo që qytetarët s’e meritojnë. Qytetarët e kanë merituar edhe më herët, sidomos nëse bëjmë krahasim me kriteret për sundim të ligjit edhe me vendet në rajon. Ne jemi shumë më mirë, sidomos në aspektin legal, por edhe çështjet politike ishin dhe mbesin ato që ngufasin çdo progres në këto procese të rëndësishme. E kishim afër më 2014 edhe tutje, por politika për hesape të veta s’ka mundur të mbërrijë konsensus të nevojshëm për të pasur votat e nevojshme për demarkacion e të ecim tutje. Vazhdojmë t’ia shohim sherrin politikës”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe partnerët e Kosovës “nuk duan të dëgjojnë demagogji, por duan rezultate konkrete që s’po i gjejnë”.

Sipas Musliut, sistemi gjyqësor është i varur nga politika dhe merr urdhra politik. Ai ka thënë se kjo ka krijuar “amnistinë” në raport me politikën.

20:21

Vasolli paralajmëron një vit me zbatimin më të ulët të kritereve për liberalizim të vizave

Image

Besnik Vasolli, njohës i çështjeve të integrimit evropian, thotë se së shpejti Kosova do të rrumbullakojë një vit me “shkarkim e ngarkim” të qeverive dhe për pasojë do të ketë zbatimin më të ulët të kritereve dhe obligimeve në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, tha se kjo nuk i përket Brukselit, por Kosovës.

“Një vit që jemi me shkarkim e ngarkim të qeverive, të themi ashtu. Kemi pa rënie të intensitetit në zbatimin e kritereve dhe obligimeve.

Do të kemi një vit me zbatimin më të ulët që kemi pasur ndonjëherë. Kjo s’ka të bëjë me Brukselin, por me neve, ka të bëjë me reformën administratës publike, me reformën në drejtësi, gjyqësor, për luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik e të tjera. Do të duhej të ishim më këmbëngulës së paku në këto kritere, të kemi konsensus më të gjerë dhe të mos ketë efekte negative”, ka thënë ai.

Vasolli thotë se Kosova në këtë kohë nuk ka dhënë shembullin që pritet prej saj, luftimin e korrupsionit.

“Fakti që ne nuk kemi parë ende ndonjë një rast konkret që gjykatat kanë zgjedh deri në fund, ato janë të pavarura, mjafton. Siç duket edhe në sistemin e drejtësisë kemi një lloj lodhje, njëfarë mangësie të efektivitetit, nuk kemi pa një dënim, ndonjë rast i mbyllur që do të mund të shërbente si argument shtesë që Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mes rreshtave është kriteri i fundit diskutabil”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komisioni Evropian lëshuar rekomandimin që Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret, por shtoi se janë shtetet anëtare ato që kërkojnë të shohin nga institucionet e Kosovës të jenë të përkushtura për të luftuar femomenet negative.