Produktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës, që kur Qeveria në detyrë e Kosovës ka zëvendësuar taksën 100 për qind për produktet serbe, me masat reciproke më 1 prill të këtij viti.
Sipas Doganës së Kosovës, nga 1 prilli deri më datë 25 maj nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë 29 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore dhe grurë.
Gjatë muajit prill, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka arritur në vlerën mbi 15 milionë euro përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2019, kur ka qenë në fuqi taksa 100 për qind, vlera e mallrave serbe në Kosovë ishte 637 mijë euro.
Nga Kosova në Serbi në muajin prill janë eksportuar mallra në vlerë prej 1.1 milion euro.
Një ndër kompanitë që ka filluar importin e disa produkteve nga Serbia është kompania tregtare “Elkos Group”. Kushtrim Mujaj menaxher i importit në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se kanë importuar sasi të vogël të produkteve, kryesisht ato produkte që kanë çmim më të ulët, sesa në vendet e Bashkimit Evropian.
“Ka disa lehtësira për disa kategori që të furnizohemi prej Serbisë me çmime më të lira, sesa jemi furnizuar deri më tash nga shtetet e tjera. Një nga produktet që në tregun e Serbisë është më i lirë, është vaji i produkteve ushqimore. Disa lloje që kemi importuar më herët, kemi filluar importin gradual të tyre në sasi të vogël”, tha Mujaj.
Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.
Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga 1 prilli –kur është shfuqizuar taksa dhe është vendos reciprociteti –e deri më tani, vlera e mallrave nga Serbia ka arritur në 29 milionë euro. Shumica e këtyre produkteve janë nga industria ushqimore, konkretisht gruri.