23:55

Kurteshi optimist se së shpejti në Kosovë mund të trajtohen 95 për qind të sëmundjeve malinje dhe me tumor

Ilir Kurteshi, drejtor i Onkologjisë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se së shpejti në Kosovë pritet që të trajtohen 95 për qind e pacientëve me sëmundje malinje dhe me tumor.

“Për herë të parë në Kosovë do të aplikohet një lloj mjekimi me imuno terapi, e cila është pjesë e listës esenciale që është miratuar në vitin e kaluar. Pacientët që kanë pasur nevojë për këtë, numri i tyre nuk është i madh, e kanë siguruar edhe vet. Dhe me pasurimin e listës esenciale kemi bërë një zgjidhje shumë adekuate për shërimin e sëmundjeve malinje”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij problemi më i madh në Kosovë është mjekimi i formave të ndryshme të leukemive te fëmijët dhe te të rriturit.

“Ku ka nevojë që pacientët t’i nënshtrohen edhe transplanteve, palcës ashtnore. Është një trajtim shumë i kushtueshëm dhe Kosova çalon. Shpresojmë se këtë vit do të kemi edhe aparaturën e re me rreze IMRT. Dhe praktikisht për tumoret si Klinikë e Onkologjisë ne gati të gjitha format, mbi 95 për qind të trajtimeve ne do t’i bëjmë në Kosovë. IMRT është e veçantë sidomos mjekimin me rreze të disa sëmundjeve, tumoreve të qafës, prostatës, trurit, ku ka nevojë për një precizitet më të lartë për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, është shprehur ai.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës do të kenë trajtimin si në rajon dhe në vendet e zhvilluara.

“Ne kemi planifikuar edhe një formë tjetër të trajtimit me rreze të brendshme, e cila quhet brahiterapi, për disa femra të cilat kanë nevojë me marrë rrezatim për organet gjenitale siç është mitra dhe qafa e mitrës. Dhe nëse këtë vit e realizojmë edhe këtë lirisht mund të them se qytetarët e Kosovës të cilët vuajnë për sëmundje malinje, për tumoret solid te adultet mjekimin do ta kenë në Kosovë 95 për qind të njëjtë me vendet e rajonit dhe me vendet e tjera të zhvilluara”, ka thënë Kurteshi.

23:50

Onkologu Kurteshi rrëfen se si dy të prekur me kancer ia dolën me koronavirusin

Drejtori i Klinikës Onkololgjike, Ilir Kurteshi, ka rrëfyer në Interaktiv të KTV-së edhe historinë e dy pacientëve me kancer që ia dolën të mposhtin koronavirusin.

Ai tha se për njërin kishte brengë të madhe se nuk do t’ia dilte me COVID-19, por për dy javë e tejkaloi atë.

“Njëri ka qenë në vetizolim, ka marr trajtim simptomatik dhe brenda 10 ditëve – dy jave ka dalë negativ. Për disa ditë ka marrë edhe antibiotik. Pacienti tjetër, për të cilin kemi pasur brengë, ka kancer të mushkërive, në të dy anët, në stadin e katërt të sëmundjes. Ai për disa ditë ka qenë në Klinikën Infektive, është trajtuar, por brenda dy jave, së bashku me familjarin tjetër i cili ishte burim i infeksionit, është shëruar”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka treguar se gjatë kohës së pandemisë, në Klilnikën e Onkologjisë janë zbatuar në përpikëri rregullat e IKSHPK-së për mbrojtje.

“Secili pacient ka qene i mbrojtur me maskë, natyrisht edhe personeli ka qenë i mbrojtur, me maska e syze, ka pasur sasi të mjaftueshme edhe të dezinfektuesve. Personeli në mënyrë strikte është kujdesur që të zbatohen këto rregulla. Po ashtu, pacientët kanë qenë korrekt, nëse kanë pasur temperaturë apo ndonjë simptomë tjetër, nuk janë lajmëruar në Onkologji, por fillimisht në mjekësi familjare. Pra kemi pas një mënyrë rigoroze të zbatimit të masave. I kemi ndarë shtretërit në 1.5 deri në 2 metra distancë, ka pasur ajrosje në çdo kohë dhe dezinfektimi. Gjitha këto kanë bërë që të kemi këto rezultate”, ka thënë ai.

Kurtishi ka folur edhe për virusin që po vjen duke u zbutur. Ka thënë se në Kosovë është krijuar një imunitet natyral për shkak të disa sëmundjeve që sot në Evropë nuk hasen, si për shembull tuberkulozi.

“Po shpresojmë që virulenca do të bie”, tha Kurteshi në Interaktiv.

23:38

Nga Klinika Onkoligjike s’është shënuar asnjë viktimë nga Covid-19, vetëm dy të infektuar

Ilir Kurteshi, drejtor i Onkologjisë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo Klinikë ka funksionuar shumë mirë gjatë periudhës së pandemisë.

Ai thotë se në fillim ishin skeptikë, porse me disiplinën e treguar nga pacientët dhe punën e mjekëve ia kanë dalë shumë mirë gjatë kësaj periudhe.

“Klinika e Onkologjisë ka funksionuar gjatë gjithë kohës, kemi pasur punë më të reduktuar në fillim dhe kemi qenë skeptik se do të na shkojë puna kaq mirë, por ia kemi dalë mbanë”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka thënë se nuk është shënuar asnjë viktimë nga kjo klinikë për shkak të Covid-19, dhe vetëm dy persona ishin infektuar por që e kanë përballuar mirë.

“Deri më tani asnjë pacient me kancer nuk ka vdekur nga Covid-19. Kemi pasur dy pacientë që janë infektuar në shtëpi. Njëri ka qenë më sëmundje malinje dhe kancer të prostatës, në të dy rastet kanë qenë meshkuj, por e kanë përballuar mirë. Kjo na ka dhënë shpresë, dhe iu kemi dalë mbanë me të gjithë pacientët dhe kanë marrë trajtimin e duhur dhe ata i kanë zbatuar rregullat që i kemi sugjeruar”, është shprehur ai.

Kurteshi thotë se e kanë organizuar mirë Klinikën, dhe kanë vepruar sipas këshillave të OBSH-së.

“Disa pacientë kanë pasur frikë, por kemi bërë një organizim të mirë brenda Klinikës. Ka raste edhe kur operacionet janë ndaluar dhe në ato raste kemi nisur një terapi me të cilën ia ndalim hovin sëmundjes. Ka pas pacientë që kanë pasur frikë, por i kemi ndarë nëpër salla, si dhe i kemi ndaluar vizitat”, ka thënë Kurteshi.

Tutje ai ka shtuar se as nga stafi nuk është infektuar asnjë.

“Të gjithëve u është marrë anemneza. I kemi depistuar dhe selektuar pacientët. Dhe deri më tani nuk e kemi asnjë rast që ka vdekur nga Covid-19 dhe asnjëri prej stafit nuk është infektuar. Nëntë deri në dhjetë javë kemi kryer mbi 40 mijë shërbime, kurse mbi 4500 doza të ilaçeve i kemi dhënë pacientëve tanë dhe mbi 2500 seanca të rrezatimit. Pra, fluksi i pacientëve kohëve të fundit ka qenë si më përpara”, ka thënë Kurteshi. “Pacientët kanë qenë të kënaqur deri më tash. Ato raste kur është dashur t’i zëvendësojmë në mënyrë të trajtimit dhe deri tash puna në Klinikë është shumë e mirë”.