Raportimi i dhunës nga shkollat në Ministri është minimal
Raportimi i dhunës nga shkollat në Ministri është minimal
Shkollat në vend bëjnë raportim fare të vogël në Ministri të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sa i takon dhunës ndaj nxënësve. Kështu ka thënë Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministri. Ajo ka folur në emisionin Raport lidhur me keqpërdorimin e fëmijëve përmes internetit.
Sipas Jonuzit, shkollat raportojnë në polici kur ka raste të dhunës, por shumë më pak në Ministri.
“Ne jemi të vetëdijshëm se raportimet janë të vogla, thuajse minimale, sa i takon çështjeve të dhunës. Ende ekziston mendësia e shkollave dhe udhëheqësve të shkollave për tu dukur si shkolla të mira, për t’i fshehur rastet, minimizuar ose heshtur. Na mungon raportimi cilësor, por veprimi nuk mungon. Shkollat i raportojnë rastet në instancat tjera siç është policia. Nëse ulemi bashkë të dy institucionet, te ne si Ministri raportimet janë të vogla, ndërsa te policia raportojnë dhe dalim në disharmoni sa i takon nivelit të raportimeve”, ka thënë Merita Jonuzi.
Sipas saj ka shumë gjëra që janë bërë për këtë çështje, si protokolle, modul për menaxhim të rasteve, përmes të cilit sigurohen informata cilësore. Ajo ka treguar se vitin e kaluar janë raportuar vetëm 22 raste.
Jonuzi ka treguar se ministria ka disa vite që shpërblen shkollat që raportojnë. Po ashtu mbahen trajnime e sesione informuese që të kuptohet më mirë çështja në fjalë.
“Ka tema shumë relevante për adresim, ka pasur veprime në kronologji që Ministria i ka iniciuar ndër vite për të adresuar kontestin e mbrojtjes së fëmijëve. Sektori i arsimit ka rol edukimin, që duhet të jetë cilësor. Ne kemi zhvilluar protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në shkollë. Brenda këtij protokolli adresohen të gjitha llojet e dhunës, edhe kjo dhuna digjitale dhe çështjet e abuzimit në internet. Por kërkohet qasje ndër-sektoriale të trajtimit. Shkolla i evidenton rastet dhe fillon t’i menaxhojë brenda rolit të vet. Në momentin që rastet dalin përtej kompetencës së shkollës dhe fushëveprimit të institucionit shkollor, atëherë rastet duhet të referohen në sektorë tjerë, në polici, mirëqenie sociale”, ka treguar Jonuzi.
Në ministri janë të vetëdijshëm se fëmijët në Kosovë e përdorin shumë internetin. Por ai përdoret kryesisht për lojëra e komunikim e shumë më pak për çështje të mësimit.
“Për të adresuar mbrojtjen përgjatë përdorimit të teknologjisë kemi udhëzues se si të përdoret interneti në mënyrë të dobishme”, ka thënë ajo.
Udhëzues lidhur me përdorim të internetit nga fëmijët ka edhe për prindërit e po ashtu për mësuesit.
Avdyli: Fëmijët, të rrezikuar nga lojërat online
Fëmijët janë mjaft të rrezikuar nga lojërat online, sipas shefit të Sektorit të Hetimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, Fadil Avdyli.
Ai në emisionin Raport në KTV ka thënë se nevojitet bashkëpunim me qytetarët për të denoncuar rastet e keqpërdorimit të fëmijëve përmes internetit.
“Sa i përket rasteve ne veprojmë në bazë të denoncimeve. Në nivel global fakt është që ky numër është në rritje. Është qendra kombëtare për fëmijët e zhdukur dhe të shfrytëzuar me seli në SHBA, dhe ka një bazë të të dhënave që i grumbullon këto raste ajo bashkëpunim dhe i shpërndan këto informata tek zbatuesit e ligjit. Ne inkurajojmë qytetarët që të na kontaktojnë dhe ne do të marrim veprime të menjëhershme. Ne kemi kapacitete për trajtimin e këtyre veprave penale, por nevojitet bashkëpunim i qytetarëve”, ka thënë Avdyli.
Sipas tij fëmijët ndoshta nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që mund t’i kenë, prandaj duhet përkujdesje e veçantë nga të rriturit që ata të mbrohen.
“Është fakt që fëmijët kanë qasje të pakontrolluar në internet. Varësisht se si ne i edukojmë ata sot do të kemi shoqëri nesër. Ndoshta ata nuk e kanë vetëdijen e plotë për rreziqet që janë, prandaj ne duhet të përkujdesemi për ta. Mbi 90 për qind e familjeve tona kanë qasje në internet. Fëmijët luajnë lojëra të ndryshme online me persona që nuk i njohin dhe ata kanë biseda me ta. Regjistrimi në platforma të ndryshme e rrjete sociale, nuk rekomandohet ata që të regjistrohen ata në këto rrjete sociale”, ka thënë ai.
Sipas tij kontribut në luftimin e kësaj dukurie mund të japin edhe ofruesit e shërbimeve të internetit.
“Ne nuk kemi pasur raste kur ekskluzivisht kur një fëmijë është viktimizuar nga rastet online. Ne marrim pjesë në ligjërata të ndryshme në shkolla dhe aty kemi rastin të bisedojmë. Nuk është risi që ata luajnë online, e kjo ndoshta mendoj se kontribut mund të japin edhe ofruesit e shërbimeve të internetit. Ata mund të vendosin kufizime. Shumica e qytetarëve ndoshta nuk i kanë njohuritë për filtrimin e tyre”, ka thënë ai.
Ai thotë se edhe grupet e ndryshme në rrjetet sociale mund të jenë të rrezikshme për fëmijët.
“Kemi edhe tek lojërat e tjera, ku bëhen reklama të ndryshme, që janë reklama për të rritur dhe kjo është shqetësuese. Dhe duhet të kujdesemi se edhe çfarë lojëra po bëjnë e në çfarë grupe janë të përfshirë. Është pak shqetësuese kur e sheh bisedat që janë bërë aty. Edhe këtu vjen një rrezik, sepse në këto grupe shumë lehtë mund të infiltrohet ndonjë person i dyshuar”, u shpreh ai.
Ai thotë se ka pasur edhe një projekt bashkëpunim me shkolla, e që vazhdojnë ende të kenë bashkëpunime të ndryshme.
“Kisha dashur të përmend një projekt që ka qenë para 5-6 viteve, nëse s’gaboj, i cili është mbështetur nga OSBE-ja dhe ka qenë pilotprojekt dhe qëllimi ka qenë që Policia të përgatisë disa tema. Dhe njëra ndër temat ka qenë vetëdijësimi për rreziqet në internet, respektivisht ndalimi i ngacmimeve në internet. Synimi ka qenë që mësimdhënësit të furnizohen me njohuri bazike, nëse mund të them ashtu në mënyrë që ato t’i përcjellin te nxënësit dhe të bisedojnë për së afërmi me ta. Kam një këshillë për prindërit dhe fëmijët, që interneti të përdoret vetëm aq sa ka nevojë, mor të tejkalohet pasi mund të ndikojë edhe në aspektin fizik por edhe mental”, ka thënë ai.
Idrizi fton prindërit të kontrollojnë fëmijët dhe të raportojnë ngacmuesit
Deputetja dhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Valdete Idrizi, ka thënë se pavarësisht numrit të vogël të raportimeve, në Kosove ka ngacmim e keqpërdorim të fëmijëve përmes internetit.
Idrizi e ftuar në emisionin “Raport” në KTV, ka thënë se këtë problem e ka ngritur edhe në komisionin ku bën pjesë dhe para institucioneve tjera.
Të hënën në këtë emision, është trajtuar tema “Siguria e fëmijëve në internet” dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë.
“Numri i raportimeve është i vogël, por edhe ne si Kosovë nuk jemi imun, nuk do të thotë që problemi nuk ekziston vetëm pse fëmijët apo prindërit nuk i raportojnë ngacmuesit apo rastet. Unë e kam ngritur këtë çështje. Në kohë pandemie edhe prindërit janë pak më tolerantë dhe fëmijëve iu mundësohet qasje më pak e kontrolluar në internet”, ka thënë Idrizi.
Ajo ka përmendur edhe Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe sipas saj, ai duhet të amandamentohet dhe për këtë, duhet marrë shembuj edhe në vendet e rajonit, sidomos në Shqipëri.
Po ashtu, Idrizi ka thënë se duhet krijuar një sistem përmes të cilit do të inkurajoheshin njerëzit që të raportonin ngacmimet dhe çdolloj dhune që vjen përmes internetit.
“Ne e kemi iniciuar këtë, në ditët në vijim do të kemi takime të radhës, e kemi diskutuar edhe me Avokatin e Popullit dhe organizatat joqeveritare. Duhet parë çka është duke u bë dhe me kriju një sistem dhe për me i inkuraju njerëzit të raportojnë ngacmimet. Nga bisedat që kam pasur me prindërit, ngacmimet kryesisht vijnë nga lojërat, e më pas vije edhe deri te shantazhimi i fëmijëve. Jemi dakorduar që të bëjmë diçka, pasojat mund të jenë shumë të mëdha nëse nuk intervenojmë tash”, ka thënë deputetja Idrizi.
Ajo ka falënderuar policinë, përkatësisht sektorin i hetimeve kibernetike, por sipas saj, shumë raste edhe mund të mos shfaqen fare, nëse Qeveria iu paraprinë problemeve. Ajo ka përmendur rastin e Shqipërisë ku në kohë pandemie janë mbyllur mbi 1600 faqe përmes të cilave ishin keqpërdorur fëmijët në forma të ndryshme.
“Shumica e prindërve as nuk e kanë menduar këtë problematikë, por nuk e dinë që rrezikun e kanë në shtëpi. Në bazë të moshës duhet edhe me ua kufizu internetin fëmijëve, në ligjin aktual duhet me u amandamentu kjo”, ka thënë Idrizi.
Rastet e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” janë të ulëta, duhet pasur kujdes
Fadil Avdyli, shef i Sektorit të Hetimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, në emisionin Raport në KTV ka thënë se rastet e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” është i ulët, megjithatë thekson se duhet të tregohet kujdes në këtë aspekt.
Ai thotë se në kuadër të Policisë është Sektorit të Hetimeve Kibernetike janë katër njësi, e njëra prej tyre merret për keqpërdorimin e fëmijëve në pronografi përmes internetit dhe këto njësi janë të specializuara.
Ai ka treguar se çfarë dënime parashihen sipas Kodit Penal të Kosovës për këto raste.
“Janë ekspertë të SHBA-së, pastaj janë edhe nga Gjermania e vende të tjera që do të doja t’i falënderoja. Në kuadër të Kodit Penal ekziston vepra penale që është “keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”. Kushdo që prodhon pronografi me fëmijë dënohet deri në 5-15 vjet burgim. Kushdo që shet, ose vë në dispozicion dënohet me 3-10 vjet burgim. Kushdo që siguron për vetveten apo personin tjetër ose posedon pornografi me fëmijë dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1-5 vjet. Edhe tentativa është e dënueshme sipas Kodit Penal”, ka thënë Avdyli.
Ai shton se në Kodin Penal më të hershëm dënimet kanë qenë më të vogla, kurse tani dënimet janë rritur.
“Sa i përket hetimeve të Policisë ato iniciohen nga denoncimi. Policia ka disa mënyra ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e tyre, çoftë përmes denoncimit direkt në stacionin policor, pastaj është platformë në kuadër të faqes zyrtare. Pastaj ekziston një kujdes i veçantë i trajtimit për shkak të ndjeshmërisë, sepse kemi të bëjmë me fëmijë”, u shpreh ai.
Ai ka bërë të ditur se numri i rasteve në Kosovë është i ulët.
“Nëse krahasojmë, vendi ynë nuk është imun ndaj kësaj vepre. Por, fatmirësisht numri i tyre nuk është i lartë, por përkundër kësaj ne duhet të tregojmë kujdes. Për secilin vitin nuk e kalon dhjetëshin. Dhe shumica e rasteve kanë të bëjnë me shpërndarje, shkarkim ose posedim, e jo krijim të tyre, që është vepra më e rëndë. Të gjitha hetimet merren në bashkërendim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit. Ajo çfarë i përket Policisë është të dokumentojë sa më shumë prova dhe më pas Prokuroria vazhdon me aktakuza”, ka thënë ai.
Avdyli ka bërë të ditur se këtë vit ka pasur vetëm një kallëzim penal.
“Ka raste kur janë dënuar dhe ka raste ku u janë sekuestruar kompjuterët apo laptopët. Në këtë vit ka qenë një rast, dhe ai ka qenë me një moshë të re. Në YouTube ka pas montazhe dhe gjëra joadekuate. Ky është rasti kur është proceduar me kallëzim penal”, u shpreh ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Spahiu: SHBA-ja do të nxiste luftë në Kosovë për ta nënshtruar Serbinë

Kurti e pranoi se ka Asociacion, zëdhënësi i tij thotë se kryeministri s’tha diçka të re

Hoti: A paska Asociacion?

Kurti e pranon se në Planin evropian ka Asociacion

Bajrami: Nëse formohet Asociacioni, Gjykatës Kushtetuese duhet t’i jepen kompetenca shtesë

Halimi: Dy vjet qeveri propaganduese, shpresa e qytetarëve është ikja

KDI: Legjislacioni nuk parasheh ndarje specifike të buxhetit për gratë në subjekte politike

QKUK-ja do ta funksionalizojë shërbimin për IVF, në kohën e ballafaqimit me mungesë barnash

Demi: Mosvendimet e Kurtit po iu kushtojnë qytetarëve

Sëmundja që dikur trajtohej në QKUK, tani referohet jashtë

Pikat e grumbulluara në Kuvend lënë disa borde të institucioneve jofunksionale
