Arbëri

Zharku në grevë urie, KMDLNJ-ja i vlerëson të arsyeshme vërejtjet e tij

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka vlerësuar të arsyeshme vërejtjet e ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, për të cilin sot është dita e tretë që po mban grevë urie në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Zharku është ankuar në cilësinë e ushqimit dhe në mungesë të gjërave ushqimore në shitoren e burgut.

“KMDLNJ-ja i merr si të arsyeshme shqetësimet dhe vërejtjet e Zharkut dhe të burgosurve tjerë sidomos për furnizim me gjëra ushqimore dhe higjienike nga shitorja e burgut. KMDLNJ-ja ka kërkuar që në mungesë të pakove familjare, furnizimi i shitores së burgut duhet t’u përshtatet nevojave të personave të privuar nga liria e jo interesave të tenderëve të ndryshëm”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së, përcjell KP-ja.

Zharku ishte arrestuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në Aeroportin e Prishtinës nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore në kohën sa ka qenë kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Zharku po qëndron në paraburgim nga 15 dhjetori e vitit të kaluar.