Arbëri

Ministria e Financave thotë se Pako e rimëkëmbjes ekonomike do të jetë gati javën tjetër

Foto: Alban Bujari / KOHA

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Qeveria ka formuar komisionin i cili ka përgatitur plani e pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Sipas tij, kjo pako do të realizohet përmes kredisë, granteve dhe disa subvencione.

“Mënyra që iu kemi qasur problemit është në dy faza, faza e parë ka qenë emergjente, për bizneset dhe njerëzit që kanë më së shumti nevojë, shtresat e ndryshme sociale. Qëllimi i pakos emergjente fiskale ka qenë si një urë-lidhëse që të tejkalohet e keqja e pastaj të vijmë të pako e rimëkëmbjes ekonomike. Në mënyrë aktive po punojmë në dizajnimin e pakos, kemi ftuar ekspert të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar. Është formuar një komision i cili udhëhiqet edhe nga unë. Pako do të jetë shumëfish më e madhe se pako e emergjencës do të jetë me shumë prej 1.1 miliard euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo Pako do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të jenë të përfshira të gjitha bizneset në Kosovë.

Aliu njoftoi se kreditë do të lëshohen nga bankat komerciale dhe do të garantohen nga Qeveria përmes subvencionimit të kamatave.

“Mjetet do të shpërndahen në formë të kredisë, disa do të jenë grante e disa subvencione. Ne kemi marrë përsipër që kreditë që lëshohen nga bankat komerciale do të garantohen nga Qeveria. Do të bëhet subvencionimi i kamatave, disa prej tyre do të jenë grante”, ka deklaruar ai.

Mes tjerash, Aliu potencoi se pakoja nuk është e vonuar, pasi sipas tij, bizneset ende nuk janë duke zhvilluar aktivitetin e tyre plotësisht si shkak i ndalesave për parandalimin e Covid-19.

Ai theksoi se javën e ardhshme do të bëhet e ditur se si do të ekzekutohet pako dhe kujt i është dedikuar.

“Nuk e shoh të logjikshme që bizneset nuk janë 100 për qind të lira që të zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik të kemi një pako e cila nuk mund të jepet në shfrytëzim të tyre për shkak ndalesave. Shpresoj se ndalesat së shpejti do të kalojnë dhe pako do të jetë e gatshme në kohë. Pako javën e ardhshme do të tregohet se sa është pako dhe kujt i dedikohet dhe mënyrën se si do të ekzekutohet”, shtoi Aliu./EO