Arbëri

47 persona kthehen nga Sllovenia në Kosovë

Foto: Driton Paçarada / KD

Të premten, 47 shtetas të Kosovës janë riatdhesuar nga Sllovenia.

Ata kishin mbetur të izoluar për shkak të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Njoftimin për kthimin e tyre e ka bërë të ditur vet Ambasada e Kosovës në Slloveni.

Përmes një statusi në Facebook është njoftuar se kthimi i tyre është bërë në koordinim me institucionet e Kosovës dhe atyre të Sllovenisë, ndërkaq për të kthyerit thuhet se kishin raste urgjente shëndetësore dhe të natyrave tjera.

“Transporti është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Lubjanë dhe qytetarët e Kosovës tashmë kanë arritur në Kosovë ku janë pritur nga autoritetet kompetente të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Edhe të enjten janë kthyer një numër i konsiderueshëm i personave të cilët kishin mbetur në shtete të ndryshme për shkak të pandemisë.

Siç është njoftuar nga ambasadat përkatëse, 56 persona janë kthyer nga Emiratet Arabe, 110 nga Franca, 40 nga Kroacia, 36 nga Gjermania dhe tre nga Zvicra.