Arbëri

Pacolli kritikon Thaçin e Kurtin për presionin mbi Kushtetuesen, veten e quan shembull

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka ftuar të gjitha, veçanërisht presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që të mos i bëjnë presion Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Pacolli përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ai duhet të merret si shembull për mënyrën si reagoi kur Kushtetuesja e rrëzoi nga posti i presidentit më 2011.

“Shoh shumë deklarata dhe spekulime politike nga të gjitha anët, në lidhje me vendimin e radhës të Gjykatës Kushtetuese. Kjo duhet të ndalet. Kjo vlen për të gjitha palët që tentojnë të ndikojnë, veçanërisht për Presidentin dhe Kryeministrin në detyrë.

Gjykata Kushtetuese është një organ i lartë dhe i pavarur dhe nuk guxon të kërcënohet apo të ndikohet nga askush. Është tepër e rëndësishme që të respektohet pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi. Unë, si President i vendit, e pata bëra këtë pa zhurmë fare. Ky shembull duhet të ndiqet edhe nga të tjerët”, ka shkruar Pacolli.

Gjykata Kushtetuese deri më 29 maj pritet të marrë një vendim për dekretin e presidentit që po kundërshtohet nga VV-ja si parti fituese e zgjedhjeve. Palët na vazhdimësi kanë bërë presion, duke thënë se “e drejta është në anën e tyre”. Për këtë, Gjykata Kushtetuese reagoi të martën, duke kërkuar që kjo praktikë të ndalet.