Arbëri

Kushtetueses i mbërrijnë “argumentet” favorizuese për Thaçin

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar opinionet e, të paktën, katër gjykatave kushtetuese, anëtare të Forumit të Venecias, përkitazi me rastin që e ka në shqyrtim, e që lidhet me mandatarin për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ato e favorizojnë zgjidhjen që e do presidenti Hashim Thaçi.

Anëtarët e këtij Forumi – një mekanizëm i brendshëm i Komisionit të Venecias që ofron shërbime për vendet anëtare dhe gjykatat e tyre, të cilave ua përcjell përvojat nga shtete të ndryshme – nuk janë pyetur fare nga Gjykata për kushtetutshmërinë e Dekretit nr. 24/2020 të presidentit Thaçi, i cili e bën të propozuarin e Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, mandatar për formimin e Qeverisë së re, ani se kjo parti nuk është fituese e zgjedhjeve të fundit, shkruan KOHA.

Kushtetuesja kishte pyetur se a duhet të shkohet domosdo në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi kundër Qeverisë, dhe a mundet Kuvendi të formojë Qeveri me shumicë tjetër parlamentare, nga ajo e dalë nga zgjedhjet.

Një burim i gazetës në Kushtetuese ka thënë të martën se përgjigjet e para kanë mbërritur.