Arbëri

Gjakova pa asnjë rast me COVID-19 tash e dy javë, por kryetari Gjini fton për kujdes

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, është i lumtur që tash e tri javë nuk ka raste të reja me COVID-19 në këtë komunë, por shton se beteja ende nuk është fituar.

Ai i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, ka thënë se ka dy javë që të gjithë të prekurit me koronavirus janë shëruar. Megjithatë, ai ka ftuar për kujdes, pasi sipas tij beteja me pandeminë nuk është fituar.

“Fatkeqësisht kemi një rast që përfundoi me vdekje, një shtatzënë, por të tjerët janë shëruar.. Kjo s’do të thotë asgjë, s’duhet të relaksohemi, mund të kemi raste të reja, nuk është për mburrje, por është lajm i mirë. Nëse në Prizren ka një rast, Gjakova s’bën të ndihet rejat, po ashtu edhe nëse ka në Ferizaj. Jemi vend i vogël dhe duhet kujdes”, ka thënë Gjini.

I pari i Gjakovës, ka falënderuar edhe të prekurit me COVID-19 – gjithsej 15.

“Duhet një falënderim edhe për personat që kanë qenë të infektuar, kanë qenë solidarë, bashkëpunues, kanë mbrojtur familjen, rrethin dhe Komunën me sjelljen e tyre”, ka thënë nënkryetari i AAK-së.

Ai ka folur edhe për menaxhimin që ka bërë komuna në këtë kohë. Pjesa më e madhe e stafit është lënë e lirë, në një pushim të detyrueshëm. Punët thotë se janë përgjysmuar, por falë situatës kanë dalë punë të tjera, si shpërndarje e ndihmave për familjet në nevojë, dezinfektimi i rrugëve dhe hapësirave tjera.

Gjini po ashtu tha se mbyllja e bizneseve ka dëmtuar rëndë ekonominë e qytetarëve. Ai tregon se një numër i madh janë të lidhur me hotelerinë.

“Njëjtë si në komunat tjera, biznesi është dëmtuar shumë, sidomos ato të vogla dhe të mesme. Shumë punojnë në hotelieri, ata e kanë pësuar jashtëzakonisht shumë. Unë e kam lutur ministrinë Arben Vitia, që baret restorantet e kafiteritë të punojnë, me ‘take-a-ëay’. Shpejt, besoj do të bëhet kjo, të paktën duhet të lejohet që hoteleria ta ndihmojë veten”, ka thënë Gjini.

Gjini duke folur për menaxhimin e situatës me koronavirus, tha se Qeveria ka ndjekur shembujt e vendeve tjera në botë.

Ai ka thënë se është dashur të veprohet ndryshe sa i përket bizneseve, duke shtuar se është dashur të kopjohen vendet tjera edhe në aspektin e ekonomisë.

“Veprimet që i ka marrë qeveria janë veprime standarde qe i kanë marrë të gjitha vendet. Kosova ka mundur edhe te ekonomia t’i kopjojë vendet tjera. Për një muaj janë ndalur të gjitha veprimtaritë. Ka mundur të ketë balancim më të mirë”, ka thënë ai.