Një ekip i mjekëve nga Serbia që ia mësyu dje Kosovës është kthyer mbrapa, krejt kjo për shkak të paqartësive.
Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme në një deklaratë për KOHËN, tregoi se moslejimi për të hyrë në Kosovë ndodhi për shkak të një paqartësie lidhur me arsyen e ardhjes së tyre.
“Arsyeja pse ky ekip i mjekëve nga Serbia nuk është lejuar të hyjë në Republikën e Kosovës është se ka pasur një paqartësi rreth qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë, nuk e kanë sqaruar nëse vijnë për të punuar si profesionistë të huaj shëndetësorë apo për vizita monitoruese”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ky ekip i mjekëve serbë ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdare.
Rreth moslejimit të hyrjes së tyre kishte reaguar, të mërkuren mbrëma, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, duke kërkuar që rreth kësaj çështjeje të reagojnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Kjo zyre ka akuzuar autoritetet e Kosovës për ”fushatë joracionale dhe histerike”, teksa ka vazhduar se punonjësit shëndetësorë serbë u penguan të hyjnë në Kosovë “ndonëse atje janë lindur dhe e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre, me arsyetimin se nuk kanë leje pune”.
“Duke shfrytëzuar arsyetime të pakuptimta administrative, Prishtina edhe një herë ia ka kthyer shpinën njerëzisë… kështu që kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të saj të marrin qëndrimin më të ashpër të mundshëm ndaj një praktike të tillë anti-njerëzore dhe kriminele”, shkruhet në reagim.