Arbëri

Konjufca thotë se në Kosovë do të kthehen edhe 740 persona

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se në Kosovë do të kthehen edhe 740 qytetarë që kanë aplikuar për t’u kthyer pas mbylljes së kufijve shkaku i koronavirusit. Në mbledhjen e Qeverisë, për 100-ditëshin, ka thënë se deri tash në vend janë kthyer rreth 1500 qytetarë.

Kthimi i këtyre qytetarëve, Konjufca ka thënë se do të bëhet në fund të majit dhe në fillim të qershorit.

“Me urgjencë kanë dalë vetëm 1215 persona të cilët ne i kemi kthyer dhe gjithsej pra afër 1500 që kemi arritur t’i kthejmë deri tash. Deri në fund të majit dhe fillim qershorit ne zotohemi se do t’i kthejmë edhe 740 persona ose qytetarë të Republikës së Kosovës që ndodhen në këto vende të cilët kanë mbetur për arsye të ndryshme dhe ne po e vazhdojmë këtë aktivitet me atë sa po na lejojnë rrethanat dhe kapacitetet tona”, ka deklaruar Konjufca, raporton KP.

Në raportim, Konjufca ka thënë se ka marrë pjesë në disa samite si dhe në vazhdimësi në komunikimin me homologët dhe liderët e vendeve të tjera ka kërkuar liberalizimin e vizave si dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.