Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook ka shprehur shqetësimin e saj për dy rastet e dhunimit në Mitrovicë, derisa bën thirrje që ato të trajtohen seriozisht.
“Vetëm brenda javës u raportuan dy raste të dhunimit seksual. Të dyja rastet nga qyteti i Mitrovicës. Kjo më ka shqetësuar shumë”, ka shkruar ajo. “I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t'i trajtojnë me seriozitet”.
Sipas saj masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale.
“Dhunimi seksual është vepër penale dhe rastet e tilla duhet të marrin dënimin sipas legjislacionit në fuqi”, ka shkruar Haxhiu.