Arbëri

Kthimi në Kosovë: Një qytetar që ka mbetur në Mal të Zi kërkon të shmanget nga karantina

Zgjatja e masave si shkak i pandemisë ka bërë të shtohet numri i shtetasve të Kosovës të cilët po kërkojnë të kthehen në vend.

Momentalisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë mbi 3.000 kërkesa për kthim.

Mbyllja e kufijve ka lënë të bllokuar edhe shumë shtetas të Kosovës që kanë mbetur në vendet e rajonit, raporton KOHA.

Një shtetas i Kosovës, i cili ka dy muaj që ka mbetur në Mal të Zi, në kushte anonimiteti i ka thënë Kohës se ka kohë që ai po pret kthimin, por që deri tani nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada në Podgoricë

Ai ka thënë se për shkak të sëmundjes së tij ka bërë kërkesë që pas kthimit të mos vendoset në karantinë dhe se për këtë u ka dërguar dokumente institucioneve, por që as për këtë nuk ka marrë përgjigje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka sqaruar se janë 20 kërkesa të shtetasve të Kosovës për kthim nga Mali i Zi dhe kthimi i tyre pritet të realizohet brenda pak ditëve.

Kjo ministri gjithashtu ka konfirmuar rastin e shtetasit kosovar, duke thënë se pas shqyrtimit të dokumentacionit atij i është aprovuar kërkesa për vetizolim.

“Aktualisht janë duke u trajtuar rreth 20 kërkesa dhe kthimi i tyre pritet të realizohet gjatë ditëve në vijim. Meqë gjenden në kufi me Kosovën, kthimi kryesisht bëhet me vetura pritave ose mjete transporti të organizuara. Deri me tani vetëm një shtetas kosovar në Mal të Zi është paraqitur me probleme shëndetësore. Rasti është trajtuar nga Qendra Operative e Emergjencave dhe është aprovuar kërkesa e tij për vetizolim”, është thënë nga Ministria e Jashtme.

Por, zyrtarë të MPJD-së kanë bërë të ditur se po vazhdon të rritet numri i kërkesave të kosovarëve të cilët po kërkojnë të kthehen në vend.

Mbi 3.000 kërkesa deri më tani janë pranuar në ambasadat e Kosovës për kthim. Shumica e tyre janë nga Gjermania, Zvicra, Franca, Italia, Belgjika etj.

“Aktualisht jemi në muajin e dytë që janë mbyllur fluturimet komerciale. Sikur theksuam më lartë, rreth 2.000 shtetas janë kthyer në mënyrë të organizuar, mirëpo me zgjatjen e pandemisë, vazhdon të shtohet numri i kërkesave për kthim në Kosovë, dhe aktualisht është mbi 3.000. Numri më i madh i kërkesave për kthim në Kosovë janë nga Gjermania dhe Zvicra, por ka kërkesa për kthim edhe nga shtetet e tjera, si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Italia, Turqia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Holanda, Australia, Kanadaja, Japonia etj”, është thënë nga MPJD-ja.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se karantina në Qendrën e Studentëve vazhdon të jetë i vetmi vend ku mund të vendosen shtetasit e kthyer.

Brenda kësaj jave pritet të kthehen një grup i shtetasve nga SHBA-ja.

Deri më tani në mënyrë të organizuar janë kthyer në Kosovë rreth 2.000 shtetas që kishin mbetur në shtete të ndryshme si pasojë e masave që janë marrë për mbrojtje nga koronavirusi dhe pastaj janë vendosur në karantinë për 14 ditë.