Arbëri

Rexhepi: Me “RriNshpi” jemi ndier si në burg, është dashur të fillohej me “kënaqu në shtëpi”

Sami Rexhepi, psikiatër dhe Linda Hoxha, psikologe, në emisionin “Desku” në KTV kanë diskutuar për kapërcimin e situatës së izolimit dhe kthimin në normalitet.

Rexhepi ka thënë se kjo ka qenë një situatë e re edhe për mjekët kundër një armiku të rrezikshëm që mund të vritet me sapun.

“Kjo ka qenë një situatë plotësisht e re për komplet një gjeneratë të mjekëve, një situatë me të cilën jemi ballafaquar e tërë bota. Kjo ka qenë një luftë botërore kundër një armiku shumë të rrezikshëm i cili vritet me sapun. Mirëpo kemi pasur informata aq të pakta, dhe kjo ka shkaktuar një frikë edhe në mesin e shkencëtarëve. Kosova është futur në këtë luftë padasht”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka lavdëruar punën që kanë bërë mjekët dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Prej popullatës është kërkuar që të qëndrojë në shtëpi. Je një ushtar dhe duhet të qëndrosh në shtëpi. E kemi pasur një udhëheqje shumë të mirë nga IKSHPK, kanë qenë komandantë të përkryer në këtë betejë. Kemi pasur një mbështetje politike nga MSH-ja”, ka thënë ai.

Sipas Rexhepit do të duhej të nisej me fushatën “kënaqur në shtëpi”, pasi sipas tij do të ishte më efektive.

“Në aspektin e shëndetit mendor ka qenë sfiduese për popullatën ajo “rrinshpi”, sikur të kishim startuar me “kënaqu në shtëpi” derisa ta fitojmë këtë betejë kishim me e ndier veten si kontribuues dhe si luftëtarë. Ndërsa rri në shtëpi e kemi ndier veten si të burgosur”, ka thënë Rexhepi.

Ai shton se tani duhet të ketë kthim gradual.

“Ka qenë distancimi social, parimisht jam kundër, pasi është distancim fizik. Ne jemi qenie sociale. Virusi do të jetë këtu, nuk shkon diku tjetër, por prej neve varet se a do të provokojmë edhe një valë të infeksionit. Përjetimi i ankthit varet edhe nga individi, nëse ka pasur edhe më herët probleme të tilla është normale që e kanë përjetuar shumë më vështirë. Është guxim me u marrë me vetveten. Tash baraspesha është prishë”, është shprehur ai.