Arbëri

Uka thërret qytetarët të shfrytëzojnë linjën për ndihmë psikologjike

Psikologu Fitim Uka, në “Express Intervistën” ka folur rreth masave që kanë ndërmarrë institucionet për t’iu ofruar ndihmë psikologjike qytetarëve gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës kanë vënë në dispozicion linjën e ndihmës psikologjike, përmes së cilës të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë këtë në numrin 038 200 80 890.

Uka gjithashtu ka folur edhe rreth rastit të fundit, ku një 26 vjeçar nga Gjilani ka vdekur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Ai ka kërkuar që të zbardhet rasti i vdekjes së 26 vjeçarit, dhe të ketë drejtësi për këtë.

Sipas tij në shoqërinë tonë ende ka paragjykime të mëdha kur flitet për shëndetin mendor, derisa thekson se ai është neglizhuar.

“Nuk ka pikë dyshimi se debatet politike, nëse fokusohen vetëm në një komponentë janë të destinuara të dështojnë. Kjo për shkak të rëndësisë që ka shëndeti mendor. Ajo çfarë është bërë nga Qeveria për kufizim të lëvizjes shkojnë për të ruajtur shëndetin. Ne po përpiqemi që të japim ndihmë në këtë drejtim. Në momentin kur ndodh një distancim i tillë fizik, do të ndodhin ndryshime edhe në shëndetin mendor. Mund të them se ka një shfrytëzim solid të shërbimeve të tilla, por që ka ende hapësirë të shfrytëzohen”, ka thënë Uka.

Ai ka bërë të ditur se për dhjetë ditë kanë pranuar 100 telefonata.

“Kur po bëhen gati dhjetë të funksionalizimit të linjës ne kemi pranuar mbi 100 telefonata që vijnë nga qytetarët për shqetësimet të llojllojshme, kryesisht shqetësime që kanë të bëjnë me frikën apo mungesën e strategjive të mirëfillta për ballafaqim të panikut e ankthit që e shoqëron pandeminë”, është shprehur Uka, që është ligjërues në Departamentin e Psikologjisë në UP, e njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Kemi edhe raste të caktuara të cilat janë adresuar tek ne, për problemet ndërpersonale. Por, edhe kur njerëzit përjetojnë ndjenja negative, e mërzi. E psikologët japin ndihmën e parë psikologjike”.

Ai thekson se të gjithë personat që kërkojnë ndihmë u respektohet plotësisht privatësia.

“Një nga parimet kryesore të punës sonë është edhe respektimi i plotë i privatësisë, konfidencialiteti. Ne nuk iu kërkojmë as emrin mbiemrin apo të dhënat e tjera, porse nuk ka as ruajtje të asaj përmbajtje, andaj kjo është arsyeja që iu bëj thirrje të gjithë atyre që ta provojnë edhe linjën e ndihmës psikologjike. Mungesa e plotë e paragjykimit, empatia që mund të japë një psikolog mund të japë një ndihmesë të madhe. Ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë sepse kjo është e natyrshme”, ka thënë Uka.

Ai ka bërë të ditur se janë 40 psikologë që në baza vullnetare ofrojnë ndihmën e tyre, derisa ka bërë të ditur se nga nesër ose pasnesër do të fillojë edhe një linjë online ku do të jenë në dispozicion 160 psikologë.

“Ajo çfarë ne kemi bërë ne si Departament i Psikologjisë kemi bërë thirrje që të ofrojnë ndihmë, e mbi 200 kanë shprehur gatishmërinë. Por, për shkak të karantinimit ne kemi zgjedhur 40 psikologë nga Prishtina, të cilët gjithashtu kanë pasur një trajnim. Nga ora 11:00 deri në ora 22:00 punojmë. Shumë shpejtë, edhe 160 psikologë do të angazhohen në një platformë online, ku ndihmën e parë psikologjike do të mund ta marrin edhe ata që shkruajnë”, ka thënë ai.

Sipas tij një nga kategoritë më të cenueshme janë ata që kanë një historik të sëmundjeve psikiatrike apo çrregullimeve mendore, kështu që po përpiqen të japin më të mirën në mënyrë që asnjëri prej këtyre rasteve të mos mbet pa e marrë këtë ndihmë.