Arbëri

22 mijë hektarë peng të kontestit mes Komunës së Dragashit dhe AKP-së

Komuna e Dragashit - investime - prona - kontest

Komuna e Dragashit dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga viti 2009 janë në kontest juridik për 22 mijë hektarë tokë. Si pasojë e kësaj, propozimprojekte të mëdha nga jashtë janë duke u refuzuar. I fundit është i një grupi austriakësh e kosovarësh për ndërtimin e teleferikut, hoteleve e infrastrukturës përcjellëse

Institucioneve u është dashur një vit kohë që të kthejnë përgjigje refuzuese për një projekt në Zaplluxhë të Dragashit, ku investitorët - dy austriakë dhe dy kosovarë me banim në Austri- planifikonin të ndërtonin teleferikun për skitarë, hotele dhe infrastrukturë përcjellëse.

Arben Dauti, njëri nga të interesuarit për investime, ka thënë se vitin e kaluar ka bërë kërkesë në Komunë për investim, por se nga aty është udhëzuar t’i drejtohet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pas gjashtë muajve pritjeje, zyrtarë të kësaj ministrie atë e kanë drejtuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në fund i është thënë të kthehet në Komunën e Dragashit, pasi ajo i ka kompetencat.

“Na dërgonin derë më derë, dhomë më dhomë, ministri në ministri, do të thotë nuk e ditke kush se kujt i takon ajo dhe çka duhet me ba dhe kush duhet ta bëjë, nuk kishin kurrfarë ideje”, ka thënë Arben Dauti.

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk kanë kthyer përgjigje për zvarritjen. E para pak ditësh ky projekt ka marrë refuzimin nga Komuna e Dragashit. Ndërmjetësuesi i investitorëve, Samidin Dauti, ka thënë se në arsyetim u është thënë se prona është në kontest ligjor mes Komunës së Dragashit dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“E kam bërë kërkesën diku më 4 janar të këtij viti, 2023. Ajo ka zgjatur deri kah 10 shkurti. Më 10 shkurt të 2023-s më kanë kthyer refuzimin që gjoja nuk ka mundësi Komuna, nuk lejon, sepse parcela me të cilën do të investoni ju, ata investitorët e huaj, është në kontest gjyqësor, juridik me AKP-në”, ka treguar Samidin Dauti.

Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës së Dragashit, ka thënë se janë 22 mijë hektarë tokë që Komuna i ka në kontest juridik me AKP-në dhe ka masë të përkohshme nga Gjykata Supreme që nga viti 2009.

“Lënda është në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Nga viti 2009 ende Gjykata Supreme nuk ka dhënë asnjë përgjigje dhe nuk ka marrë asnjë aktgjykim për këtë çështje”, theksoi Xheladini.

Kryetari i Dragashit ka thënë se nuk heq dorë nga prona, që, sipas tij, është e Komunës.

“AKP-ja nuk heq dorë, thotë është prona e AKP-së edhe ata duan me i marrë këto prona edhe me i shitë, do të thotë me i qitë në ankande edhe me i shitë. Ndërsa ne nuk heqim dorë për arsye se është tokë e jona, edhe është tokë e cila është në pronësi të Komunës”, deklaroi ai.

Xheladini ka thënë se ka edhe të tjerë të interesuar për investime si në fushën e blegtorisë, energjetikës dhe turizmit, por që, sipas tij, nuk munden për shkak të kontestit gjyqësor.

“Është vërtet për të ardhur keq që prej vitit 2009 mos me vendos për një lëndë. Është shumë problem, edhe shumë investitorë po na ikin, po vijnë po kërkojnë tokë, po kërkojnë vend për me investu, ne nuk jemi në gjendje me ua dhanë dhe ata po kthehen prapë”, shtoi tutje Xheladini.

Në AKP e në Gjykatën Supreme nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje që nga mesi i javës së shkuar.

E investitori, Arben Dauti, ka thënë se nëse gjithçka do të shkonte mirë, atëherë në këtë kohë do të duhej të nisnin ndërtimet që, sipas tij, kapin vlerën disamilionëshe.

“Punimet duheshin të filloheshin, do të thotë në këta muajt në vazhdim kemi menduar që të fillojmë punimet, por jo që nuk fillojnë punimet po as lejen, do të thotë as asgjë tjetër vetëm na refuzuan direkt, megjithëse ishte shpresa e madhe dhe na premtuan shumë që kjo punë do të kryhet shpejt, mirëpo asgjë nuk u krye”, theksoi ai.

Ai ka folur edhe për fazën e investimeve të planifikuara.

“Investimet kapin tri faza, do të thotë faza e parë shkon aty 5 milionë, faza e dytë shkon deri në 10 milionë edhe faza e tretë shkon deri në 15 milionë”.

Investitorët austriak, sipas tij, janë të zhgënjyer për vonesat në procedura, ndonëse ka thënë se ka pasur entuziazëm të madh nga ana e tyre.