Ushtarët e infektuar të KFOR-it po trajtohen në objektet e tij, apo në vendet e tyre të lindjes

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Michele Risi u prit sot nga kryeministri në detyrë Albin Kurti për një takim pune me fokus situatën e përgjithshme të sigurisë dhe reagimin ndaj pandemisë COVID-19, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Gjenerali Risi ripohoi përkushtimin e paanshëm të KFOR-it për të kontribuuar në sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe lirinë e lëvizjes së të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ai po ashtu konfirmoi se falë masave parandaluese dhe të rrepta të ndërmarra që nga fillimi në të gjitha bazat dhe objektet, aftësitë dhe kapacitetet e KFOR-it nuk janë minuar nga COVID-19. Një numër i kufizuar i ushtarëve janë infektuar. Ata po trajtohen në objektet mjekësore të KFOR-it ose po shërohen në vendet e tyre të lindjes”, thuhet në komunikatë.
