Arbëri

Hamiti: Agjërimi bëhet për të ripërtërirë lidhjen me Zotin, e të kemi solidaritet me njëri-tjetrin

Xhabir Hamiti, profesor i studimeve islame, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se qëllimi i agjërimit është që të ripërtërihet lidhja vertikale me Zotin, por edhe të jetë e frytshme për të pasur solidaritet me njëri-tjetrin.

“Agjërimi, ndryshe është quajtur edhe muaji i Ramazanit – muaji i Kuranit. Ai i thërret atë që e kanë besuar, pra është një thirrje specifike. Thirrja është për ata që e besojnë Zotin. Muaji i Kuranit për shkak se këtë muaj është zbritur Kurani”, ka thënë Hamiti.

Sipas tij nëse mungon rrafshi social atëherë agjërimi është jo i plotë.

“Ata të cilët nuk e besojnë zotin nuk mund ta pranojnë. Kjo bëhet për të ripërtërijë lidhjen vertikale ndërmjet robit dhe zotit, e duke e shtrirë njëkohësisht atë në rrafshin social. Ky rrafshi social nëse mungon është një agjërim jo i plotë, pra qëllimi është edhe në shërbim të njeriut, në kuptimin që të solidarizohemi më shumë se në çdo kohë tjetër. Qëllimi i agjërimit është që të jetë edhe i frytshëm, në kuptimin e solidaritetit. Të besosh Zotin nuk do të thotë se të lidhesh vetëm me Zotin tënd e të mos çash kokën për të tjerët, por kjo duhet të shtrihet edhe në rrafshin horizontal”, është shprehur Hamiti.

Tutje ai ka folur edhe për Covid-19, duke thënë se kanë respektuar sanksionet për të mos kryer lutjet në xhami në mënyrë që të ruhet shëndeti.

“Ne po kalojmë përmes një kohe të pakohë, jo vetëm ne si komunitet, por e gjithë bota po ballafaqohet me një pandemi që s’mbahet mend të ketë qenë në këtë nivel. Të gjithë iu kanë nënshtruar sanksioneve, e kjo nënkupton mos shkuarjen në xhami, por kjo ka ndodhur edhe me komunitetet e tjera fetare. Edhe xhamitë më të mëdha janë të mbyllura për t’u falur në mënyrë kolektive për shkak të rrezikut që mund të shkaktohet nga kjo pandemi. Një besimtar racional e pranon si diçka të imponuar për të ruajtur shëndetin edhe personal edhe atë shoqëror, pasi nëse nuk kemi shëndet nuk mund t’i kryejmë as obligimet që kemi. Sëmundja është që e nxjerr njeriun nga vetja e tij. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njeriu nuk është i lidhur me Zotin”, ka thënë Hamiti.

Sipas tij agjërimi është një lidhje personale mes njeriut dhe Zotit, dhe ai duhet të ndihet, jo pse po e bëjnë të tjerët. Por, sipas tij ai duhet të përjetohet.

Ai shton se pandemia ka bashkuar njerëzit, duke e aktivizuar solidaritetin.

“Kjo pandemi nuk po e përjashton askënd. Është një solidarizim që është aktivizuar mbarë njerëzor si kurrë më parë. Njerëzit kur rrezikohen nga një armik i padukshëm, të gjithë janë bashkuar sepse e kanë parë se është rrezik i të gjithëve. Kjo jep me kuptuar se njerëzit janë një dhe mund të arrijnë një sukses për të mirën e të gjithëve vetëm duke bashkëpunuar për të mirën e përgjithshme, e kjo është edhe porosia e Zotit përmes librave të shenjtë. Njerëzit të gjithë janë të barabartë para zotit, dhe njeriu duhet të shikohet si njeri para së gjithash”, ka thënë ai.

Ai thotë se ka pasur konflikte të ndryshme përgjatë historisë dhe diktatura të ndryshme për shkak të egos së njerëzve.

“Egoja për sundim, egoja për pasurim, gllabërim, e për të sunduar të tjerët është evidente edhe sot dhe ka qenë edhe përgjatë historisë dhe mungesa e besimit në Zot. Një njeri i cili ka besimin në zot dhe që beson në jetën pas kësaj jete, në ditën e gjykimit, nuk mendoj se ai mundet me qenë zullumqar dhe i padrejtë, ai mund të jetë i gabueshëm. Por, ai nuk mund të jetë tiran. Besimi në Zot duhet të reflektojë në rrafshin horizontal”, ka thënë Hamiti.