Arbëri

Kurti: Kriza ekonomike po duket e paevitueshme, ajo politike ishte e planifikuar

Foto: Qeveria e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kriza ekonomike si pasojë e koronavirusit duket e paevitueshme. Krizën shëndetësore e ka quajtur të paparashikueshme e atë politike të panevojshme dhe paarsyeshme, por të planifikuar.

Gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane për të diskutuar menaxhimin e Covid-19 nga ana e institucioneve të Kosovës, Kurti ka bërë një analogji mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike. Sipas tij, Kosova ka qenë më e hendikepuar se vendet tjera për shkak se “kriza nuk është e dyfishtë, por e trefishtë”.

“Me qëllim që të ruhet shëndeti publik, vendet në mbarë botën e kanë futur ekonominë në një hibernacion. Si pasojë, aktiviteti ekonomik ka rënë, me ç’rast kanë rënë edhe të ardhurat. Edhe oferta edhe kërkesa kanë përjetuar një shok negativ. Pra, ka më pak punë, më pak prodhim, më pak fitim, më pak shkëmbim dhe më pak shpenzim. Të vetëdijshëm që gjendja e ekonomisë në hibernacion mund të përkeqësohet, vendet në mbarë botën kanë përdorur dy mjetet: kanë përdorur politikat fiskale dhe politikat monetare. Në këtë aspekt ne kemi qenë të hendikepuar sepse ne mund të përdorim vetëm politikat fiskale jo edhe ato monetare. Por, kemi qenë dyfish të hendikepuar meqenëse në anën tjetër kriza te ne nuk është e dyfishtë por e trefishtë: pra nuk është vetëm shëndetësore dhe ekonomike, por edhe politike. Kriza shëndetësore ishte e paparashikueshme. Kriza ekonomike po duket e paevitueshme. Ndërsa kjo politike ishte edhe e panevojshme edhe e paarsyeshme, por meqenëse ishte e planifikuar u bë e pashmangshme. Jemi futur në fazën kritike të krizës shëndetësore, por jam i bindur se ajo do të menaxhohet mirë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit nga Qeveria në detyrë. “Neve na duhet ekspertiza e tyre shkencore, e atyre ju nevojitet bashkëpunimi ynë pa kushte. Unë ju siguroj që kriza e panevojshme politike nuk do të më ndalë që si Kryeministër në detyrë, dhe si Qeveri në detyrë, ta përmbushim detyrën tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pra, ta zgjojmë atë nga hibernacioni dhe ta bëjmë më të fortë se sa që ishte kur ishte futur. Unë jam mirënjohës për të gjithë ndërmarrësit për bashkëpunimin e tyre dhe jam i sigurt se ai do të vazhdojë të rritet në mes nesh”.

Kurti ka përsëritur mesazhin që qytetarët të dëgjojnë mjekët, të rrinë në shtëpi e të ruajnë higjienën “sepse kështu do ta shkurtojmë kohën që do të nevojitet për rimëkëmbje ekonomike”.

Tutje ai ka thënë se si qeveri e kanë bërë llogari për kohën e rimëkëmbjes, por ka shtuar se përkundër optimizimit, sërish do të ketë humbje.

“Në mënyrë që të mos përkeqësohet gjendja e ekonomisë në hibernacion, e kemi marrë hapin e parë duke e përgatitur Pakon Emergjente Fiskale. Me që rast i kemi ndarë rreth 190 milionë euro që t’i minimizojmë dëmet e krizës. Por, duhet kuptuar që kjo shumë nuk është kostoja ekonomike e pakos. Sepse nuk e përfshin koston e mundësisë. Dhe, ju si ndërmarrës e dini më së miri që kostoja e mundësisë luan rol përcaktues në vlerësimet ekonomike para marrjes së çfarëdo vendimi. Me rënien e aktiviteteve ekonomike, do të bien edhe të hyrat e Qeverisë. Dhe, nëse ne parashikojmë se do të gjenerojmë rreth 200 milionë euro më pak të hyra, atëherë kjo është kostoja e mundësisë që duhet ta përfshijmë. Rrjedhimisht, kostoja ekonomike e pakos bëhet rreth 390 milionë euro. Këtë po e theksoj në mënyrë që të mos lëmë hapësirë për keqinterpretime e keqpërdorime që kanë tentuar të bëhen nga ata që ekonominë tonë veçse e kishin shkatërruar pa asnjë pandemi”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se hapi i dytë për rimëkëmbje do të jetë dizajnimi i Pakos së Rimëkëmbjes.

Ai ka kujtuar se rritja ekonomike ishte paraparë mes 4 dhe 4.2 për qind, ndërsa tani dëmi ekonomik mund të variojë nga gati 400 milionë euro deri në 650 milionë euro.

“Kujtojmë që rritja ekonomike sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar para përhapjes së pandemisë, ishte paraparë 4% ndërkaq sipas Bankës Botërore nga 4.2%. Ndikimin e vërtetë në ekonomi do ta dimë vetëm pasi të përfundojë pandemia. Por, vlerësimet ex ante që kemi tani variojnë nga parashikimi më optimist, ku GDP shënon rënie vjetore prej 1.6% (Banka Botërore), e deri tëk ai më pesimist, ku GDP shënon rënie vjetore prej 5% (Fondi Monetar Ndërkombëtar). Pra, FMN edhe parashihte një rritje më të vogël, e tash një rënje më të madhe, ndërkar Banka Botërore parashihte një rritje më të madhe tash një rënje më të vogël. Në bazë të këtyre parametrave, dëmi në ekonominë tonë mund të variojë prej rreth 392 milionë deri në rreth 645 milionë euro. Pra, gjithnjë duke e llogaritur edhe koston ekonomike në bazë të parashikimeve që i përmenda”, ka thënë më tej kryeministri në detyrë.

Kurti ka thënë se “krizën ekonomike e shohim edhe si një rast për progres” duke shtuar se “subvencionet dhe kreditë për ndërmarrjet tuaja nuk do të jenë vetëm për të siguruar likuiditet. Ato do të jenë për ta zgjeruar aktivitetin, rritur prodhimin e ngritur eksportin. Pra, investime, subvencione e kredi, për punësim, prodhim e eksport”.