Arbëri

Plus 37 të infektuar me Covid-19 në Kosovë, shkon në 598

Foto: Alban Bujari / KOHA

Nga 353 testime që janë bërë sot, 37 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook.

“Shpresoj që secila e secili prej jush të jeni duke e përballuar këtë situatë të panatyrshme e të vështirë. Sot janë realizuar 353 testime. Qytetarët tanë që rezultuan të infektuar me Covid-19 sot janë 37. Është inkurajuese se nga disa Komuna si Malisheva, Ferizaj dhe Suhareka, si vatra te infeksionit për disa ditë, sonte nuk ka asnjë rast”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu ka konfirmuar se 21 persona janë shëruar.

“Në anën tjetër kemi 21 të shëruar dhe në total tani numri i të shëruarve shkon në 123. Por, kemi vatra ose shtim të numrit në disa lokalitete të reja. Ata presupozohet që e kanë marrë këtë virus të paktën 2 javë më herët, pra në fillim të prillit, nga kontaktet e tyre. Masat mbrojtëse janë përnjëmend shpëtim. Distanca e ruajtur dhe me miqtë apo të afërmit është përnjëmend mbrojtje. Nuk koritemi nëse i bëjmë zakone këto rregulla shëndetësore. Përkundrazi i mbrojmë familjarët dhe miqtë”, ka shkruar Vitia.

Vitia ka shtuar se deri më sot specialistët kanë testuar 5009 mostra.

Ndërkohë, statistikave të IKSHPK-së për të vdekurit i janë shtuar edhe tri raste në komunat veriore të Kosovës.

Kjo ka çuar në 15 numrin total të të vdekurve. Pa dhënë detaje, IKSHPK-ja ka treguar me një fjali për tri raste të vdekjeve.

“Nga Komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar 2 raste të vdekjes dhe nga Komuna e Leposaviqit 1 rast i vdekjes”, thuhet në komunikatë.

Image