Drejtori i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Jakup Ismaili, në “Express Intervistën” në KTV ka treguar se një grua shtatzënë e prekur me Covid-19 është në gjendje të rëndë, kurse dy të tjera janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai ka bërë të ditur se po punojnë me kapacitet të plotë.
“Klinika Obstetrike Gjinekologjike është niveli terciar, shërbimi i fundit ku u jepet shtatzënave, ne po punojmë me kapacitet të plotë dhe nuk ka rënë numri i pacienteve. Kemi pothuaje 25-30 lindje brenda 24 orëve. Punojmë pothuajse me kapacitet të plotë”, ka thënë Ismaili.]
Ai ka shtuar se në çdo mëngjes kur jepet raporti për pacientët në Klinikë referojnë 150-170 numri i pacienteve brenda 24 orëve. Ne i kryejmë edhe operacionet urgjente pa asnjë pengesë dhe pa asnjë ndërprerje.
Ai shton se vizitat gjinekologjike janë ndërprerë për t’i ikur fluksit të pacienteve.
“Nuk kemi as shtim e as rënie të numrit të pacienteve në këtë kohë. Brenda 24 orëve kryhen deri në 10 operacione. Virusi i atakon edhe shtatzënat, kemi disa raste me Covid-19, njëra prej tyre është në kujdesin intensiv në Infektivë, sipas mjekëve gjendja e saj është e rëndë por me parametra stabilë. Tek ajo lindja duhet të bëhet me prerje cezariane. Kemi edhe një tjetër 36 javësh në Prishtinë, ajo është mirë, nuk ka probleme nuk ka asnjë shqetësim. Poashtu edhe në dy ditët e fundit na është lajmëruar një shtatzënë në muajin e gjashtë që është pozitiv me Covid-19. Për momentin i kemi 3 shtatzëna me Covid-19, kurse këto dy të fundit nuk kanë asnjë shqetësim”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka shtuar se janë testuar edhe 30 persona nga stafi mjekësorë dhe të gjithë janë negativë.
“Kemi edhe 3 gjinekologë dhe një mami me Covid-19. Tek stafi kemi bërë 30 testime të personelit shëndetësorë, por të gjithë kanë rezultuar negativë. Pacientet e tjera nuk janë testuar, sepse nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim, e mundësia që ato të infektohen është minimale”, ka thënë ai.
Ismaili ka shtuar se paraprakisht kemi marrë disa masa për të luftuar Covid-19, përfshirë edhe disa kamera laserike.
“Secili në ambulantë çdo ditë janë të furnizuar, dhe nuk besoj se mund të infektohet dikush tjetër. Kamera laserike e detekton temperaturën, dhe secili që ka temperaturën mbi 38 ne e ndalim dhe e verifikojmë”, u shpreh Ismaili.
Ai thotë se tashmë kanë krijuar një hapësirë të veçantë për shtatzënat që preken me Covid-19, ku do të mund ta kryejnë lindjen.
“E kemi përshpejtuar procedurën e lirimit, ato të nesërmen i lirojmë nëse s’ka ndonjë shqetësim, kurse ato me prerje cezariane lirohen pas tre ditësh. Dhe pas një jave ato duhet ta vizitojnë gjinekologun. Pacientja në gjendje të rëndë është në javën e 29-të. Por, pasi ajo është në parametra stabile kemi vendosur që të presim edhe pak. Dhe i kemi bërë tashmë edhe të gjitha përgatitjet për t’i kryer lindjet te shtatzënat me Covid-19”, u shpreh Ismaili.