15:33

Mustafa: Osmanin nuk e përjashtuam, ajo i ka dhënë qëndrimet e veta

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është përgjigjur se pse nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani nuk është ftuar në këtë mbledhje.

Ai ka thënë se Osmani ka dhënë qëndrimin e saj.

Sipas tij, ajo është shprehur kundër mocionit të mosbesimit dhe kundër një koalicioni me AAK-në, AKR-në, Nismën Socialdemokrate dhe dy parti të komuniteteve joshumicë.

Ai tutje në një deklarim për media pas mbledhjes së kryesisë së ngushtë të LDK-së ka thënë se ende nuk e kanë emrin e kryeministrit.

“Zonjën Osmani nuk e përjashtojmë sepse ajo i ka dhënë qëndrimet e saj në mënyrë publike. Qëndrimi i saj ka qenë që është kundër mocionit të mosbesimit dhe ka deklaruar që nuk është pro koalicionit. Emrin për kryeministër nuk e kemi akoma, kur të vie puna për marrjen e mandatit do ta sqarojmë”, ka thënë ai.

12:53

Mustafa arrin në selinë e LDK-së për mbledhjen e Kryesisë së ngushtë, Osmani nuk është ftuar

Pas pak pritet të nisë mbledhja e Kryesisë së ngushtë të LDK-së në lidhje me Qeverinë e re. Para pak çastesh ka mbërritur edhe i pari i partisë, Isa Mustafa.

LDK-ja, gjatë javës, pret të marrë nga presidenti i vendit, mandatin për të krijuar Qeveri të re dhe për këtë temë, do të diskutohet sot në mbledhjen e Kryesisë së ngushtë, ku bëjnë pjesë kryetari dhe nënkryetarët e partisë.

Vjosa Osmani si nënkryetare po ashtu duhej të merrte pjesë, por ajo pak më herët tha se nuk është ftuar.

LDK-ja garoi me të si kandidate në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe Osmani fitoi mbi 160 mijë vota.

12:23

Kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, injorohet nga partia e saj për Qeverinë e re

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e painformuar me përpjekjet e partisë së saj – LDK-së, që të formojë Qeveri të re.

Ajo pas tryezës së thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, për pandeminë, tha se nuk është ftuar në takimet e partisë për këtë çështje.

Osmani ka shtuar se ka një kohë të gjatë që ajo nuk ftohet nga LDK-ja në takimet që i mbanë.

Sot pritet të mblidhet Kryesia e ngushtë e LDK-së, kryetari dhe nënkryetarët, e ku bën pjesë edhe Osmani.

“Jam plotësisht e painformuar, sapo dëgjova se është edhe një takim tjetër lidhur me këto përpjeke që unë nuk jam ftuar, por kjo nuk është asgjë e re sepse ka një kohë të gjatë edhe para se të votohej mocioni, që në shumë takime nuk jam ftuar e as konsultuar. Dëgjova se ka takim në LDK se do të ndërmerren disa vendime rreth hapave të mëtutjeshëm por se nuk jam ftuar dhe nuk kam informacione”, ka thënë ajo.

Presidenti Hashim Thaçi, pritet që gjatë javës t’ia japë mandatin LDK-së për formimin e Qeverisë së re. VV-ja si fituese e zgjedhjeve ka thënë se do të çojë këtë vendim në Kushtetuese.

LDK-ja në zgjedhjet e 6 tetorit garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre. Osmani fitoi mbi 160 mijë vota apo 85 për qind të të gjitha votave të LDK-së.