Arbëri

Konfirmohen 9 raste të reja me COVID-19, shkon në 548 numri i të infektuarve në Shqipëri

Vijon të rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 9 qytetarë, duke e çuar në 548 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Zv/ ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi sot se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë testuar 231 persona të dyshuar si bartës të virusit, ose të sëmurë me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 9 raste pozitive me COVID19. Nga rastet e reja 5 i përkasin Kurbinit, 2 raste në Kukës, 1 rast në Tiranë, 1 rast në Fier.

Deri në këto momente janë testuar 5311 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 548 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve.

Ajo po ashtu bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 19 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 302.