Arbëri

Kosova, një prej tre vendeve ku Shqipëria shënoi uljen më të madhe të eksporteve

Foto: Koha / ilustrim

Eksportet shqiptare kanë njohur një rënie të fortë në muajin mars, si rrjedhojë e masave të mbylljes së kufijve dhe masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera, që çuan në pezullimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) bëri të ditur të premten se volumi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme të Shqipërisë pësoi një reduktim me afro një të katërtën gjatë muajit mars 2020, shkruan KOHA.

Italia, Kosova e Greqia janë vendet me të cilat Shqipëria pësoi uljen më të madhe të eksporteve. Në marsin e vitit kaluar, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 22.5 milionë euro, ndërsa në marsin e këtij viti vlera e mallrave të eksportuara është 12.8 milionë euro, ose 43.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit kaluar. Ndërsa me Italinë eksportet shqiptare kanë shënuar një rënie prej 48.5%, ndërsa me Greqinë ka një rënie prej 24.6%.

Rënia e eksporteve drejt Italisë në masën 48% tregon krizën e një prej vendeve më të goditura nga pandemia e koronavirusit në botë. Italia është vendi që ka numrin e dytë më të lartë të infeksioneve në raport me popullsinë pas Spanjës dhe është vendi i parë që urdhëroi të gjithë popullsinë e vendit të mbyllej në shtëpi në Evropë. Edhe për tremujorin e parë të këtij viti, Kosova renditet në tre vendet e para ku Shqipëria ka shënuar një ulje të eksporteve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.