Arbëri

Në Nju Jork 45 pastrues e roje dere, sektori që punëson mijëra shqiptarë, të vdekur nga koronavirusi

Se paku 45 pastrues ndërtesash dhe persona të punësuar për hapjen e dyerve (doorman) kanë vdekur në New York nga koronavirusi. Lajmin e ka bere të ditur sindikata (unioni) që punëson mbi mijëra shqiptarë.

Të paktën 58 anëtarë të sindikatës (unionit) 32BJ SEIU kanë humbur jetën për shkak të COVID-19 —45 prej të cilëve në New York City.

Nga këta 19 vetë kanë qenë punëtorë të statusit të domosdoshëm, që janë detyruar të punojnë edhe gjatë paralizimit. Këta ishin kryesisht roje dere (doorman), superintendentë (super), dhe hamenj (porter).

Shumë prej tyre as që u janë dhënë mjete mbrojtëse, si maska apo doreza, sipas unionit.

“Punëtorë esencialë – si pastrues, roje, punëtorë aeroportesh apo pallatesh banimi – rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre çdo ditë për ta mbajtur New York-un të sigurt, të pastër, dhe të shëndetshëm”, thotë Kyle Bragg, presidenti i 32BJ SEIU, në një deklaratë publike.

Ngjarja ka rëndësi edhe sepse mijëra anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan janë anëtarë të kësaj sindikate dhe kryejnë punët e lartpërmendura. Nuk e di nëse ndonjë prej atyre që kanë humbur jetën janë shqiptarë, por dihet se shumë shqiptarë dalin në punë çdo ditë edhe tani kur i gjithë Qyteti, e shumica vendit ndodhen të mbyllur nëpër shtëpia.

Me gjithë sakrificën e madhe të këtyre punëtorëve, shumë prej tyre po humbasin vendet e punës. Sindikata po lobon kongresistë për të siguruar mbrojtje financiare, sidomos për punëtorët e pagave më të ulëta, për ata që humbasin vendet e punës, si dhe për të bërë të detyrueshme pajisjen e këtyre punëtorëve me mjete mbrojtëse ndaj infektimit/Illyria.