1 perditesime
21:33

Daut Haradinaj: S’besoj se Pacolli ka dashur të ofendojë nënat shqiptare, aq më pak nënën time

Deputeti Daut Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk beson që Fitore Pacolli ka dashur të ofendojë nënat shqiptare, e veçmas jo nënën e tij.

“Nuk besoj që Fitore Pacolli ka dashur të ofendojë nënat shqiptare e aq më pak nënën time e cila sot ka përvjetorët e dy djemve të saj”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij deputetja e Parlamentit të Kosovës nuk besoj që e ka pasur me të keq dhe në tone përçmuese deklaratën e saj në televizion.

“Aq më pak kur nëna ime është shëruar në shtetin amë Shqipëri. Kur është fjala për nënat tona shqiptare, besoj që të gjithë jemi një”, ka shkruar Haradinaj.

21:06

Pacolli i kundërpërgjigjet Mustafës: S'është turp të thuash të vërtetën, turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit

Fitore Pacolli ka reaguar ndaj deklaratave të parit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili që gjatë ditës tha se ajo që kishte deklaruar mbrëmë deputetja e VV-së, ishte e turpshme.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk është turp të thuhet e vërteta, por të shfrytëzohen të mirat e shtetit dhe të degradohet çdo segment i jetës.

Pacolli gjatë një interviste mbrëmë, në Interaktiv të KTV-së, ndër të tjera foli edhe për shërimin e Isa Mustafës jashtë vendit kohë më parë.

“Z. Mustafa, nuk është turp të thuash të vërtetën. Turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit vetëm për veten dhe familjen e afërt.

Turp është kur nën qeverisjen tënde e të partisë tuaj keni lejuar e kontribuar në degradimin e sistemit shëndetësor. Pa rrugëdalje shumë prindër mbushnin sheshet me megafona e rrjetet sociale me lutje për të kërkuar ndihmë për shërimin e fëmijëve të tyre. Fëmijë të këtij vendi, jeta e të cilëve varej vetëm nga vullneti i zemërmirëve. Shteti i rrënuar, për rrënimin e të cilit bartni edhe ju një pjesë të përgjegjësisë, nuk mund t’i ndihmonte”, thuhet në reagimin e Pacollit.

Sipas saj, sistemi shëndetësor është i shkatërruar, për fajin edhe të LDK-së dhe qeverisjes së saj të kaluar.

“Por Ju, kishit mundësi të tjera. Mund të mjekoheshit edhe jashtë shtetit. Nuk po di se kujt po i mungon edukata familjare dhe e traditës kombëtare, mua apo juve? Mua që po kërkoj përgjegjësi tek ata, përfshirë edhe juve, që na mohuan të drejtën të kemi sistem publik të zhvilluar shëndetësor apo juve që kërkesën time për përgjegjësi po e quani logjikë fashiste? Për ju qenka logjikë fashiste. Për mua është e detyrë e përgjegjësi e secilit që që zë pozitat udhëheqëse të punoj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të këtij vendi”, ka shkruar Pacolli.