Ndonëse janë bërë më shumë se tre muaj që nga koha kur është konstituar Kuvendi i Kosovës, deputetët nuk kanë pasur edhe dinamikë të madhe të punës. E atë më shumë ua ka vështirësuar edhe situata me pandeminë COVID-19.
Por përkundër kësaj, disa prej komisioneve kanë gjetur forma të tjera të mbajtjes së mbledhjeve. Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takimet janë duke i mbajtur në mënyrë virtuale, raporton KOHA.
Kryetarja e këtij komisioni thotë se kanë tejkaluar dallimet partiake dhe u janë vënë në ndihmë institucioneve në luftë kundër koronavirusit.
Mbledhje të tillë e kanë më të vështirë të mbajnë anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere. Me gjithë sfidat, Hekuran Murati, udhëheqës i këtij komisioni, thotë se nuk do t’i lërë pas çështjet që janë me urgjencë.
E nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se ambientet e legjislativit ua pamundësojnë deputetëve që të kryejnë detyrat e tyre, për shkak se nuk i plotësojnë kushtet e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për distancë.
Kuvendi i Kosovës është konstituuar në fund të muajit dhjetor vitin e kaluar, derisa deri më tani janë mbajtur vetëm disa seanca, shumë prej tyre solemne.