Arbëri

Osmani e Vitia diskutojnë për harmonizimin e veprimeve në raport me vendimin e Kushtetueses

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia priti në takim kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, ku u diskutua për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me Covid-19, bëhet e ditur përmes një njoftimi të MSH-së.

Sipas njoftimit, u diskutua edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, transmeton KOHA.

“Znj. Osmani tha se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë ngusht përballë këtij ‘armiku të padukshëm’, i cili nuk njeh as ndarje politike e as etnike. Ndërsa ministri Vitia i falënderoi znj. Osmani dhe znj. Arbërie Nagavci për gatishmërinë e treguar, si dhe i njoftoi për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit. Ndër të tjera u disktua edhe për harmonizimin e veprimeve në raport me adresimin e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet ndët të tjera në njoftimin e MSH-së.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shpalli jokushtetues vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për parandalimin e koronavirusit. Vendimi për shfuqizim të kësaj mase do të hyjë në fuqi më 13 prill.