Analisti gjerman, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë pranë Këshillit për Politikë të Demokratizimit, me seli në Berlin, në emisionin DESKU të KTV-së, duke folur për çështjet politike në Kosovë, fillimisht ka dashur të qartësojë qëndrimin e tij se nuk anon nga asnjëra anë në luftërat e brendshme politike në vend.
Ai ka thënë se prishja e koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së nuk është dashur të ndodhë në këtë kohë të pandemisë.
“Në pjesën më të madhe të botës, koalicionet janë bërë bashkë, shikojeni Izraelin, për t'i bashkuar forcat, t'i lënë anash çështjet politike... Pra nëse komentoj nga aspekti transatlantik, atëherë them se është kryesisht rezultat i një krize tjetër që u puq me koronën dhe kriza qeveritare dhe kushtetuese në fakt është krizë transatlantike e raporteve transatlantike”, deklaroi Weber në këtë intervistë.
Tutje, ai foli edhe për taksën 100% ndaj mallrave serbe, që duket të ketë qenë esenca e prishjes së raporteve mes VV-së dhe LDK-së.
Weber thotë se për aq sa u fol në publik, kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe udhëheqja e LDK-së e bënë të qartë që mosmarrëveshja nuk ndodhi për shkak të shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, por për shkak të mospajtimit rreth kërkesës së emisarit amerikan, Richard Grenell, që taksa të hiqej menjëherë dhe pa kushte.
“Kjo ishte arsyeja e vërtetë se pse ra Qeveria dhe se LDK-ja iu shmang marrëveshjes së koalicionit në bazë të trysnisë amerikane. Pra ishin të qartë për këtë. Çështja është se sa është kjo relevante... në kohë karantine, kur kufijtë janë të mbyllur, nëse kjo është relevante në mes krizës me koronën... dhe kjo e bën performancën amerikane edhe më të dyshimtë”, u shpreh analisti gjerman, Bodo Weber.
Sipas tij, e tërë kjo ndodhi për dy arsye: “Nga njëra anë janë dallimet që i kemi pasur vjet, me shkuarjen e shefes së politikës së Jashtme Mogherini dhe nga ana tjetër emërimin e emisarit presidencial, Grenellit. Para saj kemi pasur dallime, porse ka pasur dallime edhe përbrenda BE-së për çështjen e shkëmbimit të territoreve. Me shkuarjen e Mogherinit, në Evropë nuk ka mbetur kush që e përkrah idenë e shkëmbimit të territoreve. Prandaj çështja e shkëmbimit është mosmarrëveshje e pastër transatlantike tash”.