Arbëri

UP-ja thotë se është e parealizueshme mbajtja e provimeve të afatit të prillit në këtë fazë

Descriptive Text

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar për orarin e mbajtjes së provimeve.

Sipas njoftimit për media, UP thotë se duke u bazuar në situatën e krijuar nga koronavirusi, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë.

“Me anë të kësaj komunikate, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton studentët, stafin dhe të gjitha palët e interesuara se, ashtu siç jeni informuar në njoftimin e datës 27 mars 2020, si dhe në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale të krijuara pas përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë”, thuhet në njoftim.

UP tutje njofton se është duke bërë përgatitje për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht.

“Njëherësh, ashtu siç jeni njoftuar zyrtarisht, Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në muajin qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së. Lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Deri atëherë, të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme”, thuhet në njoftim.

Menaxhmenti i UP-së thotë se të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi.