Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, filloi dje konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj qeverisë.
Gjatë ditës së mërkure, Thaçi priti në takime të ndara kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurtin, kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, si dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veselin.
Thaçi theksoi se me ta është takuar për të parë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.
Presidenti Thaçi dje njoftoi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe sot.
Ai do të pres në kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kreun e Nismës, Fatmir Limaj, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe përfaqësues të grupit parlamentar të 6+.
Ende nuk e ka konfirmuar orën e takimeve.
Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, presidenti Thaçi tha se do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.