Arbëri

PDK: Vendimi i djeshëm i Kurtit, një lojë dhe mashtrim ndaj qytetarëve dhe ndaj SHBA-së

Foto: Koha / ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka “mashtruar” dhe “gënjyer” qytetarët e Kosovës lidhur me vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Për PDK-në, si shumë vendime tjera të Kurtit, edhe ai i mbrëmshmi ishte një vendim “gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë”.

“Janë për keqardhje veprimet populiste e vendimet qesharake të një kryeministri të shkarkuar, i cili në ditët e fundit të tij në krye të qeverisë, ka vënë në lajthitje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe po luan me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve të Kosovës. Bilanci negativ i mashtrimeve të këtij Kryeministri të shkarkuar, vetëm disa orë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka shkelur Kushtetutën – janë pamja më e qartë e pazotësisë së tij dhe dëmit që po i bën Kosovës”, ka thënë PDK-ja përmes një reagimi dërguar mediave.

PDK-ja thotë se kryeministri në detyrë, Kurti, para marrjes së vendimit, siç e quan kjo parti, “qesharak” të reciprocitetit dhe heqjes së tarifës, do të duhej t’i shqyrtonte disa pyetje e tema.

“Cila do të jetë masa e reciprocitetit të Kryeministrit të shkarkuar ndaj fushatës negative të diplomacisë së Serbisë ndaj njohjeve të Kosovës? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë Kryeministri shkarkuar ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet se ‘Kosova është pjesë e Serbisë’. A u vendos masë reciprociteti ndaj njohjes së diplomave sikurse Serbia bën ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës? A u anulua vendimi i dëmshëm serb për verifikimin dhe anulimin e adresave të banorëve shqiptarë në Serbi? A u ndal presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë, veçmas ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë këtu? A po e zbaton marrëveshjen për IBM, dhe funksionalizimin e katër pikëkalimeve të përhershme kufitare të ndërtuara me fondet e BE-së, të cilin Serbia e mban të bllokuar? A filloi zbatimi i reciprocitetit për targat e automjeteve? A filloi zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe heqja nga përdorimi i targave ilegale në Kosovë? Cila do të jetë masa e reciprocitetit në raport me arrestimet e shtetasve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në burgjet e Serbisë? Çfarë masa reciprociteti do të vendos ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve dhe kthimin e trupave në Kosovë?”, janë pyetjet që PDK-ja konsideron se është dashur t’i shqyrtonte para se të merrte vendimin e mbrëmshëm.

PDK-ja konsideron se “kryeministri shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre”.

Kjo parti i ka bërë thirrje qeverisë të luajë rolin e vet kushtetues të kujdestarit, veçmas në ballafaqimin me pandeminë e virusit COVID-19 dhe ndihmën emergjente ndaj ekonomisë së vendit.