3 perditesime
20:38

Von Cramon: Këmbimi i territoreve nuk do t’i ndihmonte askujt

Viola von Cramon gjatë intervistës në emisionin “Desku” ka thënë bisedat për këmbim territoresh gjatë dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk duhet të vijnë në shprehje dhe se një gjë e tillë do të hapte kutinë e Pandorës.

“Nuk kemi nevojë për këtë, nuk dua kufij të rinj etnikë. Kjo nuk do t'i ndihmoj askujt. Kam qenë në Kosovë tri herë. Është shtet shumetnik. Kushtetuta e parasheh. Janë ulëset e garantuara në Kuvend. Ky është aset i madh dhe sinqerisht, këmbimi i territoreve do t'i detyrojë shumë njerëz që ta braktisin tokën e vet.... P.sh., njerëzit në Graçanicë do të jenë nën trysni të shkojnë tjetërkund, dhe kjo do të shkaktojë shumë telashe”, ka shtuar ajo. Këmbimi i territoreve është temë që madje as do e diskutonim me këdo. Këtu s'ka fitues në fund. Për këtë arsye njerëzit i frikësohen kaq shumë kësaj çështjeje në Kosovë, dhe ne duhet ta respektojmë këtë ndjenjë”.

Ajo ka thënë se njerëzit në Kosovë janë të lodhur nga zgjedhjet. Sipas saj, qytetarët folën më 6 tetor 2019.

“Njerëzit janë lodhur e dërrmuar. Më 6 tetor u mbajtjen zgjedhjet e mira, dhe nuk shoh arsye se pse duhen zgjedhje të reja. Por nëse asgjë nuk gjendet si zgjidhje, nëse Kushtetuta e jep këtë mundësi si të fundit, atëherë do të ketë zgjedhje”, u shpreh von Cramon.

20:24

Von Cramon thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar

Von Cramon ka treguar se brenda LDK-së ka forca të arsyeshme dhe mençura. 

Ka përmendur kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, por e cila sipas saj, është mënjanuar gjatë javëve të fundit.

“Dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte, për shkak se shumë të rinj, brezi i ri ka votuar për të për të dhënë shpresë, për t'i dhënë këtij shteti një të ardhme më të mirë. Për ta tejkaluar brezin e vjetër, strukturat e korruptuara. Dhe tash, ashtu duket, të vjetrit e morën kontrollin, e shtynë atë mënjanë, dhe bënë çfarë deshën. Kjo mua më duket si një grusht shtet se përse do të duhej njerëzit të dilnin sërish në zgjedhje kur lëvizje si kjo janë të mundura, duke e injoruar thjesht vullnetin e votuesit”, u shpreh raportuesja e Parlamentit Evropian, von Cramon në intervistën dhënë në emisionin “Desku”.

“Ka mungesë kredibiliteti te klasa politike në përgjithësi dhe kjo për mua, si politikane, që kërkon forcimin e institucioneve demokratike jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi, ky është problem i madh”.

Diplomatja gjermane u shpreh se Kosova ka kohë që ka përmbushur kriteret teknike dhe se liberalizimi i vizave për kosovarët është vonuar.

Ajo shpresonte që gjatë vizitës që Kurti duhej ta bënte në Gjermani, e që nuk ndodhi shkaku i pandemisë së koronavirusit, të merrte sinjale pozitive.

Gjermania do të jetë kryesuese e radhës e BE-së nga mesi i vitit.

“Z. Kurti kishte për ta vizituar znj. Merkel të hënën e shkuar. Për fat të keq për shkak të krizës, kjo nuk qe e mundur. Shumë shpresoja ase gjatë kësaj vizite do të merreshin sinjalet e para se kurrë do të mundte Kosova, më në fund, ta arrinte pikën ku Berlini dhe të gjithë anëtarët e tjerë të BE-së do ta jepnin dritën e gjelbër. Për shkak se Kosova, dhe këtë krejt e dinë i ka përmbushur krejt kriteret teknike kurse heqja e regjimit të vizave është vonuar shumë. Ne në Parlamentin Evropian kemi

votuar, Komisioni Evropian e ka dhënë dritën e gjelbër, dhe është punë e Këshillit tash. Natyrisht se nisja e kryesimit të BE-së nga Gjermania me 1 korrik do të ishte ideale për t'ia nisur me këtë liri dhe qasje për në BE. Tash me krizën në Kosovë dhe me krizën Korona, të gjitha mbesin të paqarta. Nuk mund të prognozoj se si do të shkojë, porse unë do të luftoj për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të mundem dhe me gjitha mundësitë që i kam”, tha tutje ajo.

Sipas saj, njerëzit në Kosovë nuk kanë pse vuajnë për shkak se e kanë qeverisjen e dobët, e cila mund të vazhdojë për një kohë porse populli, qytetarët e meritojnë regjimin pa viza sikurse krejt shtetet në Ballkanin Perëndimor.

“Kështu mendoj, dhe kështu kam menduar përherë”, tha ajo.

Ajo është e lumtur që në Kosovë ka një brez të ri që është i gatshëm të luftojë korrupsionin.

“Shtylla tjetër e madhe është lufta kundër korrupsionit; lufta kundër kapjes së shtetit; lufta ndaj nepotizmit; lufta kundër vjedhjes së parave të buxhetit. Kjo është shtyllë e madhe që shpresoj se nuk do të bjerë nën tavolinë kur qeveria e re të krijohet, me shpresë shpejt”, tha ajo.

20:17

Von Cramon: E shoh një sjellje shumë të njëanshme në politikën e jashtme amerikane

Diplomatja gjermane Viola Von Cramon, ka thënë në emisionin “Desku” se do të kërkojë në Parlamentin Evropian dialog të mirëfilltë mes Kosovës e Servisë të lehtësuar nga BE-ja dhe nën udhëzim më të fuqishëm të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrellit.

“Do ta kërkojmë tash në Parlamentin Evropian, që z. Borrell t'i ftojë palët nga Beogradi e Prishtina dhe të tregojë lidership. Kjo është më se e domosdoshme në këtë situatë”, tha ajo në “Desku”.

Por, ajo tha se fillimisht, Kosova ka nevojë për Qeveri.

“Pa Qeveri nuk kemi partner negociatash. Përkrahja për krejt masat; masat preventive dhe emergjente në krizë, kemi nevojë për një qeveri funksionale. Ky është qëllimi im dhe i yni primar. Që të gjendet zgjidhja. Hapi i ardhshëm do të ishte të shikohet se si të tejkalohet bllokimi i dialogut. Kjo do të jetë punë e Përfaqësuesit tonë të Lartë dhe emisarin e tij special - që të gjejnë zgjidhje për këtë Besoj se kjo është e mundur. Se përse SHBA-ja po ecën shtegut paralel, këtë nuk di t'jua them. E lexova intervistën e z. Grenell dhënë një gazete kosovare se ku përpiqej të shpjegonte se ‘kjo i nevojitet për punë biznesi’.

E kuptoj, të gjithëve na nevojitet. Por gjithashtu duhet t'i respektojmë forcat demokratike dhe institucionet demokratike brenda shtetit. Dhe Kosova është shtet sovran dhe më parë do t'i respektoja procedurat demokratike dhe institucionet e më pas do të bëja biznes”, shtoi ai.

E sa i përket komunikimit të Brukselit me Washtingtonin për këtë proces, ajo shtoi se kryeqendra e Evropës po ndihet paksa e anashkaluar nga kjo nismë.

“Nuk e di se sa përpjekje ka bërë Brukseli, përkatësisht z. Borrell. Porse nëse z. Grenell e merr iniciativën, atëherë më e pakta do të ishte që t'i informonte partnerët në BE para se të niste e jo pas, apo të mos i informojë fare. Nuk e di se në terreni e kujt është topi. E shoh një sjellje shumë të njëanshme në politikën e jashtme amerikane dhe nuk shoh deklarata shumë koherente që vijnë nga anë të ndryshme në vetë SHBA-në. Është z. Engel, përfaqësues nga Partia Demokratike, i cili po

pajtohet me ne dhe gjithashtu shpreh keqardhjen me situatën

në të cilën gjendet Kosova. Është e qartë që jo çdokush në Kongres është i lumtur me lëvizjet e z. Grenell. Po shpresoj që z.

Grenell do të kuptojë se në çfarë lëmshi është tash Kosova”, u shpreh ajo.

Von Cramon foli edhe për kundërshtimin e BE-së ndaj mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, që u votua ditë më parë në Kuvend.

“E patëm edhe demarshin të gjermanëve dhe francezëve që praktikisht u injorua nga LDK-ja. Në publik nuk kemi kuptuar për ndonjë përgjigje nga LDK-ja. Për mua është shumë interesante ta di se përse LDK-ja as nuk e respektonte e as nuk e përmendte fare këtë demarsh ngase aty përmenden shumë çështje të rëndësishme. Për shembull, sërish u kanë bërë thirrje Kosovës e Serbisë, por në rend të parë Kosovës që të marrin pjesë në një konferencë në Paris, ku z. Borrell do ta riniste dialogun. Ky do të duhej të ishte sinjal shumë i rëndësishëm për të gjithë, në Prishtinë dhe në Beograd se ka një nismë të re që vjen nga Parisi dhe Gjermania sikurse edhe nga Brukseli. Injorimi i kësaj flet shumë. Flet shumë për partnerët në Kosovë. Është mëkat”.

20:10

Von Cramon: Nuk kishte nevojë të shkarkohej Qeveria

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, është shprehur tejet e zhgënjyer me zhvillimet politike.

Cramon në një intervistë për emisionin “Desku” në KTV, tha se në këtë kohë pandemie, Kosovës i duhet një Qeveri funksionale dhe forca të përgjegjshme politike.

“Vërtet shtrohet pyetja nëse votimi i mosbesimit apo mocioni janë sinjal i mirë, dhe nëse vërtet ka qenë e nevojshme në këtë situatë. Për mua në përgjithësi, kjo ka qenë një lëvizje tërësisht e panevojshme nga shefi i partisë, zoti Mustafa, nga LDK-ja. E besoj se ka qenë e pikëllueshme ngase shumë njerëz nga shumë anë, francezët, gjermanët e gjithashtu edhe Kuinti, shumë OJQ të ndryshme po bënin thirrje që të mos ndërmerrej ky hap dhe tash jemi në një situatë të cilën unë nuk e njoh mirë, se çfarë lejon Kushtetuta e Kosovës apo çfarë hapësirë jep. E di se zyrtarisht Presidenti duhet t'ia japë mandatin grupit

më të madh në Kuvend, e kjo do të ishte VV-ja.

Se çfarë domethënie ka tash dhe si të tejkalohet kriza pas prishjes së koalicionit, vërtet nuk e di”, tha von Cramon.

Sipas saj, kjo nuk i shërben popullit në Kosovë, e as shtetit në nivelin ndërkombëtar.

Ajo ka vlerësuar gatishmërinë e kryeministrit, tashmë në detyrë, Albin Kurti, për heqje të tarifës.

Ajo thotë se nuk kishte asnjë nevojë për rrëzim të Qeverisë, meqë i kishte vetëm 50 ditë dhe u shpreh e gatshme për bashkëpunim.

“Për ne si vëzhgues ndërkombëtarë nuk kishte nevojë që të shkarkohej qeveria apo të kërkohej mocioni i mosbesimit. Por nga ana tjetër vinin ‘cicërimat’ e ambasadorit Grenell që e kërkonte heqjen e taksës. SHBA-ja dhe BE-ja kanë pasur

qëndrime të kundërta për zhvillimet e fundit në Kosovë”, tha ajo.

Von Cramon nuk ka dashur të flasë për mungesën e kohezionit në këtë rast, por ka shtuarës politika e jashtme e presidentit të SHBA-së, Donald.

Trump është shumë e veçantë dhe se “është shumë vështirë të planifikohet apo të kalkulohet se cili do të jetë hapi i ardhshëm”.

“Për ne është me rëndësi të flasim me një zë si Bashkësi ndërkombëtare, si donatorë të jashtëm dhe sa kam parë nga deklarata e Kuintit një ditë para votimit të mocionit, ekzistonte qëndrimi unik dhe nuk e kuptoj se pse qe e nevojshme që ambasadori amerikan të dilte me porosi të kundërt të njëjtën ditë apo të nesërmen.

Për mua qe vështirë e kuptueshme ashtu si për shumë njerëz në Kosovë”, ka thënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.