Arbëri

Komuna e Malishevës nuk pajtohet me vendimin e Qeverisë për anulim e Zonës Ekonomike

Në fshatrat Banjë, Bellanicë dhe Senik të Malishevës, ishte paraparë që të ndërtohet zona ekonomike në vlerë prej 3.5 milionë eurosh.

Mirëpo, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ditë më parë anuloi vendimin e marrë nga qeveria Haradinaj, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ligjin, raporton KOHA.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kundër këtij vendimi ka dalë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Ai ka thënë që shumë investitorë nga jashtë kishin planifikuar që bizneset e tyre t’i vendosin aty.

Kundër vendimit të qeverisë ka dalë edhe asamblisti e NISMA-s në Malishevë, Astrit Sertolli.

“Sipas qeverisë, ka qenë vendim i kundërligjshëm për ndërtimin e saj, mirëpo është dëm i madh për Komunën tonë. Këtu është shkelur edhe vullneti i pothuajse shumicës së Asamblesë të Kuvendit Komunal të Malishevës ku patëm votuar pro kësaj zone Ekonomike”, ka thënë Sertolli.

Zona ekonomike në Malishevë përfshinte një sipërfaqe prej 36 hektarësh dhe ishte e dedikuar për bizneset nga diaspora.

Për këtë projekt parashihej të shpenzoheshin shuma të mëdha në shpronësimin e hapësirave për krijimin e Zonës Ekonomike.