Arbëri

Serwer: Ndryshimi i politikës amerikane karshi Qeverisë së Kosovës nisi me Boltonin, rol pati lobimi serb

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka folur në emisionin “Desku” në KTV për ndikimin e SHBA-së në vendimmarrjen politike në Kosovë.

Ai ka thënë se në Washington, ku të gjithë janë të preokupuar me COVID-19, nuk po flitet për Kosovën, ndonëse është e qartë që zotërinjtë Grenell, Palmer dhe Kosnett janë të interesuar shumë rreth kësaj.

“Janë të interesuar, nuk e tregojnë pse saktësisht janë të interesuar. Mbase janë duke u përpjekur ta arrijnë një triumf në politikën e jashtme për këtë administratë. Presidenti e ka ofruar ceremoninë në Rose Garden. Po supozoj se ndonjëherë do të pyesë se ‘ku në djall mbeti kjo marrëveshje për Kosovën që ma keni premtuar’", ka thënë ai, duke shtuar se “është e natyrshme që të tre duhen të kujdesen për karrierat e tyre, dhe kjo është një gjë normale”.

Të mërkuren, në Kuvendin e Kosovës u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, në kohën kur vendi po përballet me krizën e koronavirusit. Mbajtja seancës për votimin e këtij mocioni u përshëndet nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas analistit Serwer, Qeveria amerikane nuk e deshi Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij dhe vendosi që të bëjë çfarë të mundte që të ndihmojë rrëzimin e Qeverisë.

“U treguan të suksesshëm duke ushtruar trysni mbi LDK-në dhe deshën që mocioni të zhvillohej në Kuvend. Kur Qeveria e SHBA-se thotë: ‘e përkrah popullin e Kosovës’, kjo do të thotë se nuk e përkrah Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.

E kërkesa e SHBA-së, sipas tij, është veprim i dënueshëm.

“Më duket shumë veprim i dënueshëm kërkesa e SHBA-së për veprim të njëanshëm nga Kosova, e jo veprim reciprok nga Serbia. Porse këtë e kërkuan. E bënë shumë të qartë që e donin shuarjen e krejt taksave në formë të njëanshme, pa veprim reciprok nga Beogradi”, ka thënë ai.

Për Serwerin, një gjë e tillë e demonstron mosmiqësinë e SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Se përse e ka ndërruar Grenelli qëndrimin, pasi që në fillim kërkonte kushte edhe nga Serbia, do të duhej ta pyesnit atë, porse bindja ime është se lobimi në favor të Serbisë ka qenë i suksesshëm në Ëashington. Bindja ime është se e kanë bërë një lëvizje që arriti në Shtëpinë e Bardhë. E besoj se ka të bëjë me nacionalizmin etnik, pa që thotë ‘ne jemi serbë dhe duam t'i qeverisim vetëm serbët, pse nuk na ndihmoni’. Dhe kështu Grenelli me shokë kanë simpati për këtë qasje. Duhet theksuar se ndryshimi i politikës amerikane kundër Qeverisë së Kosovës nisi me zotin Bolton, i cili ishte kundërshtar i madh i pavarësisë së Kosovës. Atë që po e shohim është ndërrim dramatik në politikën amerikane”, ka thënë ai.