23:18

Ndryshimi i kufizimit të orarit të lëvizjes në pritje të zyrtarizimit

Nga Qeveria në detyrë e Kosovës kanë thënë se ende nuk është miratuar propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e orarit të kufizimit të lëvizjes.

Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë Kohës se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ia ka propozuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti këtë masë, pra që kufizimi të jetë nga ora 17:00 deri 06:00, porse së shpejti pritet të merret vendim.

“Momentalisht, nuk është vendim ende. Ministri Vitia vetëm i ka propozuar Qeverisë, me ç'rast Qeveria do ta votojë atë propozim në mbledhjen e saj. Posa të merret vendimi, do të publikohet. Shumë shpejt do të njoftoheni”, tha Kryeziu.

22:39

Ndryshon orari i kufizimit të lëvizjes nga 17:00 deri 06:00

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka njoftuar se ka ndryshuar orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, njofton se posa i ka propozuar Kryeministrit në detyrë Ablin Kurtit, dhe qeverisë në detyrë të Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.

Ndër to, thotë se është edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve.

“Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00”, thuhet në njoftimin që e ka bërë ministri Arben Vitia.

“Të dashur qytetarë, bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate. Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.

Fillimisht, ishte vendosur që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00, por më pas kjo shfaqi pakënaqësi pasi u panë grumbullime të shumta të qytetarëve, kryesisht në dyqane.