Në kushte të pazakonta janë kujtuar nga familjarët 241 persona të vrarë në Krushë të Madhe të Rahovecit.
Pa ndonjë organizim shkaku i pandemisë, familjarët në mënyrë individuale kanë bërë homazhe te varrezat, raporton KOHA.
Ata janë shprehur të zhgënjyer me veprimet e institucioneve dhe me neglizhencën në ndriçimin e fatit të të pagjeturve.
Më 25, 26 e 27 mars të 1999, në këtë fshat u masakruan e u dogjën 241 persona nga vende të ndryshme të Kosovës, derisa 64 prej tyre ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Edhe në fshatin ngjitur, Krushë e Vogël të Prizrenit, janë kujtuar 113 persona të vrarë, përfshirë këtu edhe fëmijë.
Familjarët këtë ditë e kanë krahasuar me atë të vitit 1999.
Në këtë fshat, 68 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar masakrën e Krushës së Madhe në Facebook, ku ka shkruar se krimi në këtë fshat hyn në radhën e krimeve më të rënda që ka kryer shteti i Serbisë.
Më 26 mars, forcat paramilitare serbe vranë e masakruan 52 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka.